TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Shtator 2024, 19:13

Pse ambasadorët dhe mediat e huaja nuk po ja përtojnë më Bablokut?

Shkruar nga Pamfleti

Pse ambasadorët dhe mediat e huaja nuk po ja përtojnë më

Ambasadori i BE, breshëri kritikash ndaj qeverisë, teksa Rama shton presionet ndaj mediave të huaja që po nxijnë qeverinë...

Ndërkombëtarët kanë filluar të dalin nga verbimi që i kishte kapluar përballë qeverisë.

Edi Rama nuk po pyet më për asnjë, teksa arroganca e kësaj mazhorance ka kapur majat. Reagimet e ditëve të fundit për dënimin e Salianjit janë dëshmia e qartë e arrogancës, teksa kryeministri bën edhe gjyqtarin. Po ashtu po punon në prapaskenë për të goditur drejtësinë e re, teksa skandalet nuk janë ndalur asnjëherë.

Por kjo situatë ka bërë që të mos mbyllin më sytë si ambasadorët e huaj, ashtu edhe mediat ndërkombëtare. Të gjithë e dimë se si një herë e një kohë Yuri Kim, Vlahutin, Luigi Soreca, i “lëpiheshin” kryeministrit. Askush nuk guxonte t’i dilte kundër. Por ditët e fundit po shohim se zërat kritikë janë shtuar dhe një ndër ata që po flet hapur kundër Bablokut është ambasadori i BE.

Gjatë kësaj jave, ai ka lëshuar deklarata shumë të forta ndaj Ramës, Xhafajt dhe vetë mazhorancës. Në një aktivitet që u zhvillua pak ditë më parë, ku u prezantua një raport mbi punën e Gjykatave dhe Prokurorisë Speciale, Silvio Gozato i vuri kufirin te thana Xhafajt, duke e thënë hapur se po përdor raportet e BE për të ndërhyrë te drejtësia.

Unë e di që në Raportin tonë të Progresit ose Raportin e Shqyrtimit të Legjislacionit, flasim për Parlamentin që të ushtrojë rolin e tij në mënyrë më adekuate, por kjo nuk ishte menduar të formulohej si ndryshim i kontrolleve dhe balancave aktuale ose ndryshimi i hierarkisë midis institucioneve të ndryshme. Ato synojnë thjesht të inkurajojnë Parlamentin që të ndjekë seriozisht ato diskutime që ai ka rregullisht me institucionet e pavarura të drejtësisë dhe institucione të tjera, dhe të ndjekë rekomandimet e bëra në raportet e këtyre institucioneve, duke marrë masat që nevojiten, duke përfshirë edhe masat buxhetore”, deklaroi ambasadori.

Dy ditë më parë ishte po ai që i dha shuplakë mazhorancës për mbrojtjen që i bëri Olta Xhaçkës. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ato dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik. Për Reformën në Drejtësi parlamenti mund të luajë një rol kyç për moskthimin pas të këtyre reformave për të konsoliduar më tej implementimin në harmoni me të gjithë detyrimet që Shqipëria ka në rrugën drejt BE-së. Këto reforma duhet të shoqërohen dhe plotësohen nga përpjekjet për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në qeveri”, u shpreh kreu i Delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato.

Sot ka lëshuar një tjetër silurë. Ai ka goditur te “Deutsche Welle” ligjin e investimeve strategjike, ligj që Rama e përdor për të kënaqur Pëllumb Gjokat dhe Gergj Lucët.

"Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi "ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit”, tha Gonzato.

Kritikë pak ditë më parë ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Zëvendës Drejtuesja e Komanduar e Misionit të SHBA, si dhe ambasadori i Holandës.

Por përveç ambasadorëve, Bablokut nuk po ja përtojnë as mediat e huaja dhe media në fakt shumë prestigjioze. Artikujt e “Der Spiegel” apo “BILD” janë të pafundmë, teksa më goditësi ishte i pak ditëve më parë. Po ashtu shkrime të forta kanë bërë “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Rai 3”, shumë media të tjera italiane që kanë denoncuar skandalin me emigrantët. Po ashtu “New York Times” në shumë raste ka denoncuar pazarin me dhëndrin e Trump apo rastin ‘McGonigal’. Pra artikujt janë të shumtë, ndonëse Rama ka tentuar të ndërhyjë dhe atje.

Gazetari Mathieu von Rohr ka pohuar se Edi Rama i kishte marrë në telefon gazetarët për t’i intimiduar dhe kishte bërë presion që të mos botohej artikulli i pak ditëve më parë. Reagimi është mbështetur edhe nga gazetari tjetër i njohur gjerman, Michael Martens, i gazetës së madhe "Frankfurter Allgemeine Zeitung". “Ky është një rast tipik i Edi Ramës, siç e kanë përjetuar shumë gazetarë: ai telefonon drejtpërdrejt gazetarët dhe përpiqet t’i mbytë nën një valë kërcënimesh. Nëse ai nuk mund t’ju blejë, të paktën dëshiron t’ju ofendojë”, tha ky i fundit.

Pra si duket Bablokut i ka dalë situata nga duart. Skandalet kanë marrë dhenë dhe tani askush nuk mund të heshtë dot. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje