Ja ndryshimet e bëra në komision në ligjin e amnistisë penale....
Zbardhet versioni final i ligjit për amnistinë penale. Ndonëse mazhoranca u mundua sot gjatë gjithë ditës të justifikohet se nuk do të ketë amnisti për zyrtarët e korruptuar, në fakt ata do të përfitojnë.
“Pamfleti” ka siguruar variantin final që do të kalojë nesër për votim si dhe amendamentin e deputetit demokrat Bledion Nallbati, amendament që u shfrytëzua nga PS për të amnistuar të korruptuarit.
Për të qenë më të saktë. Bledion Nallbati ka propozuar ndryshime në 3 pika, duke kërkur heqjen e kufizmit pothuajse për të gjitha veprat e korrupsionit (heqja e pikës K në nenin 4).
Por socialisti Plarent Ndreca e ka përpunuar amendamenin dhe ka dalë me version të ri, duke kërkuar heqjen e pikës “2”, në pikën "C", të nenit 5. Në këtë pikë thuhej: “Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit: personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.

Socialistët e pranuan këtë propozim të Ndrecës dhe e kanë reflektuar në ligj. Ministri i Drejtësisë paradite u shpreh se nuk preken dosjet që ka në dorë SPAK, por në fakt bëhet fjalë për diçka tjetër. Ministri flet për nenin 6, ndërsa “puçi” qendron te neni 5.
Në variantin final, kufizimi hiqet dhe me këtë draft të gjithë zyrtarët e dënuar përfitojnë ulje dënimi, 1 vit burrat dhe 1 vit e gjysmë gratë.
“Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit: a) personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal; b) personat e dënuar me burgim të përjetshëm”, thuhet në variantin final. Pra pika “c” është hequr.

Sa i takon sqarimit të ministrit Manja, në nenin 6 është specifikuar që përjashtohen nga amnistia e ndjekjes penale zyrtarët që janë subjekt i GJKKO. Pra nuk përfitojnë aministi ata që janë nën hetim. Por ata që janë dënuar përfitojnë ulje dënimi. Për të qenë më të saktë, emra si Safet Gjici, Lefter Koka, Alqi Bllako, Lefter Alla etj, do të kenë ulje dënimi.
Testi do jetë nesër, ku do shihet nëse PS do i sigurojë apo jo 84 vota. /Pamfleti
Lini një Përgjigje