TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Prill 2024, 11:48

PS tallet me opozitën, dështon për herë të katërt mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë

Shkruar nga Pamfleti

PS tallet me opozitën, dështon për herë të katërt

Ka dështuar për herë të katërt radhazi mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë.

Shkak është bërë sërish bojkoti i mbledhjes nga anëtarët e mazhorancës në këtë komision.

Debati për caktimin e mbledhjes duket se është pika që i ndan të dy palët. Albana Vokshi thotë se është kryetarja që cakton se kur do mblidhen, nga ana tjetër nënkryetari socialist Plarent Ndreca thotë se vendimmarrja i takon komisionit dhe se Vokshi më parë refuzoi që të diskutojë mbi pikën e fundit të rendit të ditës për caktimin e mbledhjes.

"Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespektim të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimmarrje është e Komisionit dhe jo e Kryetares se tij. Asnjë vendimmarrje apo dakortësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga Kryetarja”, shkroi Ndreca.

Në një deklaratë për mediat, opozita në bllok hodhi akuza ndaj mazhorancës se këto janë skenarë me qëllim zvarritjen e hetimeve të komisionit për dy koncesionet, sterilizimin dhe check up-in.

"Gjithë kjo zvarritje është me tendencë që 4 muaj ikin shpejt dhe të bëjnë ç’të jetë mundur që ne mos të zbardhim informacion në kohë, të vonohet thirrja e dëshmitarëve, të vonohet mbledhja e provave të reja", u shpreh Ina Zhupa. 

"Këtyre u ka hyrë uji nga SPAK, nuk kanë interes ta vazhdojnë, prandaj gjysma kanë ardhur në konflikt interesi. Pa pikë turpi, çohet në 11 nga gjumi ka parë ndonjë ëndërr dhe tha nuk e kemi miratuar, ndërkohë që aty ishim gjithë", vijoi Saimir Korreshi. 

Ndërkohë, Vokshi thotë se mbledhjen e radhës e ka caktuar të premten në orën 13:30. Sipas Vokshit, rregullorja i lejon që me ¼ e firmave të deputetëve mblidhet mbledhja, duke theksuar se ka mbledhur firmat e opozitarëve.

Gjithashtu janë miratuar ekspertët që do të ndihmojnë punën e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ndërsa socialistët refuzuan kërkesat për informacion, si edhe të nënshkruanin formularin për konfliktin e interesit.

dështon për herë të katërt mbledhja e komisionit hetimor

Lini një Përgjigje