
Ish-presidenti Bamir Topi ka analizuar situatën politike aktuale në vend, duke e cilësuar rezultat të marrëveshjes së vitit 2008. Vetë Topi është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese të cilat sipas tij, do të dëmtonin institucionet e shtetit.
Ish-presidenti tha se asokohe, edhe pse ishte në detyrë, nuk qëndronte dot neutral, pasi marrëveshja do të prekte themelet e shtetit.
“Pas kaq vitesh u konfirmua çfarë kisha thënë më 15 prill të vitit 2008. Nuk kam folur më pas, por ditë më parë për ato probleme të mëdha që u krijuan në raport me presidentin. Kam qenë i vetëm në betejën me këta, sepse këta u bënë bashkë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryetar shteti në detyrë të qëndronte neutral. Por nuk qëndrova dot neutral sepse pashë se pas pazarit që kishin me 2008-ën, do prekeshin themelet e shtetit, institucionet filluan të binin njëri pas tjetrit”, tha Topi.
Ndër të tjera, ish-kreu i shtetit tregoi se kjo ishte edhe pika e ndarjes politike që pati me Berishën. Ndryshimet kushtetuese, sipas Topit, i jepnin mundësi qoftë edhe një partie politike të zgjidhte presidentin me 71 vota.
“Po e them sot ndoshta për herë të parë, para ndryshimeve kushtetuese presidenti kishte një mekanizëm, ishte shumë moral në raport me njerëzit. Kur ishte me 84 vota akti i dorëheqjes ishte shumë i rëndësishëm, sepse me aktin e dorëheqjes ti e çoje vendin në zgjedhje të parakohshme për të vendosur ekuilibra të ri politikë. Por në momentin kur presidenti u zgjodh me 71 vota, ata mezi e prisnin këtë rast sepse nesër do emëronin më mirë një njeri që i shkonte linjës së tyre. Ky ishte momenti kur u ndanë rrugët”, tha ish-presidenti për Top Channel.
Lini një Përgjigje