
Pas debateve të ashpra mazhorancë-opozitë, PS ka vendosur të kyçë dyert dhe të fshehë aferën me TIMS.
Komisioni Hetimor, me 8 votat e deputetëve të PS-së vendosi që dëshmia e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Toni Gogu, nënkryetar i Komisionit Hetimor, tha se kërkesa e Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është që të dëshmojë me dyer të mbyllura. Sipas Rrumbullakut, dëshmia e tij përbën sekret, por vendimi i takon Komisionit.
Gogu u shpreh se deputetët e opozitës po vjedhin kohë me debate, ndërsa hodhën çështjen në votim. Ai tha se salla e mbledhjes po kthehet në një shesh paligjshmërie, duke akuzuar kreun e Komisionit Hetimor, se po shkel rregulloren dhe çdo ligj.
Por sipas Ervin Salianjit, deputeti Gogu lexon mbrapsht deklaratën paraprake të Rrumbullakut.
“E keni ves që të predikoni gjëra mbrapsht. Ju thoni se gjithçka është show, por në fakt këto që ju i quani show janë ajo gjendja ku keni katandisur Shqipërinë”, tha Salianji.
Ai akuzoi socialistët se duan të mbrojnë paligjshmërinë.
“Doni të mbuloni paligjshmërinë, por ne do i shkojmë deri në fund hetimit. Ju keni frikë nga transparenca, jeni si lakuriqët e natës që kanë frikë nga drita, ndaj rrinë në bodrume”, u shpreh Salianji.
Deputetët e opozitës janë shprehur se nëse Rrumbullaku mendon se pyetjet që do i drejtohen mund të kenë lidhje me atë që quhet “sekret” atëherë ai mund të mos i përgjigjet pyetjes.
“Nuk e detyron asnjë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që të thotë apo të japë informacione mbi ato që ai i vlerëson si sekret”, u shprehën deputetët demokratë.
Lini një Përgjigje