TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2024, 13:06

Propozimi i PDIU bën bashkë PS-PD, Shqipëria kërkesë zyrtare Greqisë të heqë Ligjin e Luftës

Shkruar nga Pamfleti

Propozimi i PDIU bën bashkë PS-PD, Shqipëria kërkesë

PS dhe PD mbështesin deklaratën e grupit parlamentar të PDIU-së, për rezolutën për t'i kërkuar Greqisë heqjen e ligjit të luftës.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur dakordësi për rezolutën ndaj Greqisë në konferencën e Kryetarëve. 

PS dhe PD mbështesin deklaratën e grupit parlamentar të PDIU-së, për rezolutën për t'i kërkuar Greqisë heqjen e ligjit të luftës.

Rezoluta do të kalojë të enjten në seancë parlamentare, por më parë parashikohet të jetë dhe një debat ku palët do të japin qëndrimin e tyre.

Grupi parlamentar i PDIU-së depozoi në Kuvend kërkesën për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë më 4 Korrik.

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi e ka konsideruar si absurd, duke u shprehur se qeveritë e të dy vendeve të nisin iniciativën për abrogimin e këtij ligji.

 “Deklarata është dhe dëshmi e politikës sonë paqësore por të vendosur, për të gjetur një zgjidhje pas 84 vitesh, në lidhje me një absurd juridik të mbështetur mbi një absurd historik. Dialogu midis dy vendeve tona duhet të jetë konkret, me kërkesa me vlerë reale dhe të pashterueshme nga koha.

Por, me keqardhje vërehet se ndryshe nga fryma dhe gërma e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë, në dhunim të hapur të shumë neneve të tij;

Megjithë vullnetin politik të shprehur publikisht në mënyrë të përsëritur nga përfaqësues të lartë të Greqisë, zgjidhjet e negociuara për ta shfuqizuar atë dhe adresuar pasojat ligjore të tij, Ligji i Luftës Nr. 2636/40 mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte. Ligji në fjalë padyshim është një absurd!!

Në vitin 1999, ministria e jashtme greke pohon me shkresën zyrtare për ministrinë e jashtme të Republikës së Shqipërisë se ligji 2636/40 është në fuqi.

Vetë ministri i jashtëm i Greqisë, Kotzias shprehej se Ligji i Luftës “Është një budallallëk historik, i cili duhet të mbarojë. Nuk duhet të ketë as edhe një dyshim formal se te dy vendet mund të jenë ne gjendje lufte. Kjo është çëshja kryesore që duhet zgjidhur pozitivisht”.

Po ashtu edhe ministri i jashtëm, Dendias gjatë vizitës në Tiranë deklaroi se: “Sa i perket ligjit të luftës… Kjo gjë është një anakronizëm, jam i sigurtë se edhe këtë do ta zgjidhim së bashku. Dhe është gëzim i madh për mua që kam mundesinë ta them këtë gjë këtu, nga Tirana, me urdhër të Kryeministrit Mitsotakis”. Ai deklaroi se do të nisin procedurat per abrogimin e ligjit, i cili daton që nga viti 1940.

Ky ligj ushtron implikime të rëndësishme në kufizimin e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë dhe është një akt që mban gjallë irredentizmin e qarqeve të caktuara ekstremiste greke. Më 28 tetor 1940, Mbretëria e Greqisë shpalli Ligjin e luftës me dekretin 2636, të pasuara nga një sërë ligjesh të tjera pjesë e sistemit juridik grek. Kërkesat e paraqitura në këtë deklaratë kanë bazament juridik, jo territorial dhe jo historik”, tha Idrizi.

Si Greqia vendosi Ligjin e Luftës me Shqipërinë

Lufta e Dytë Botërore dhe qeveritë kuislinge

Lufta e Dytë Botërore ka hyrë nëpër analet e historisë si lufta më e egër që ka parë historia e njerëzimit.

Në këtë luftë jo vetëm që u vranë rreth 50 milionë njerëz, por kjo luftë do të kujtohet me dhimbje dhe me interes edhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me rolin aktiv të spiunazhit, aviacionit por edhe sidomos për mënyrën më të perfeksionuar të efekteve politike –propagandistike që përdorën vendet agresore ndaj vendeve që pushtuan. Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia militariste, për interesat e tyre pushtuese, përdorën ndaj vendeve që pushtuan të ashtuquajturën aleanca, për të justifikuar krimet ç’njerëzore.

Pushtimet e dhunshme me plumba, bomba predha, zinxhirë tankesh apo shpimet me bajonetë, këto vende u munduan që t’i mbulonin formalisht duke krijuar regjencat, qeveritë kuislinge, të cilat sipas pushtuesve do të kishin “autoritetin politiko-juridik të qeverive të pavarura”.

Qeveritë kuislinge u bënë modë në këtë luftë, që megjithëse u propoganduan gjerësisht nga pushtuesit sidomos në vendet e lindjes. Ato në sytë e opinionit ishin tepër qesharake dhe pa vlerë, ku nga masat popullore ato u quajtën qeveri kukulla.

Dekreti mbretëror i Greqisë

Më 7 prill 1939 Italia fashiste pushton Shqipërinë. Një ditë më parë mbreti zog largohet nga Shqipëria.

Pak kohë më vonë pas pushtimit, pushtuesi italian do të formonte një qeveri kuislinge. Dhe, një vit më vonë, pra më 1940, Konti Ciano, përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej ministrit të jashtëm të Greqisë Z.Metaksa.

Ultimatumi i ngjante atij që kishte përgatitur dhe ia kishte paraqitur mbretit, Zogu i I, të Shqipërisë, ku përmblidhej “ose pushtimi, ose Lufta”. Në këtë ultimatum, Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin Italian të disa bazave strategjike. Ambasadori italian në Greqi Z. Grazzi, që ia paraqiti ultimatumin në orët e vona të mesnatës Z.Metaksa nuk qe në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Metaksasë se për ç’baza strategjike bëhej fjalë. I nervozuar nga kjo heshtje, Metaksai, iu përgjigj me një “Oqi” “Jo “ ultimatumit.

Më 28 tetor 1940 –tetë divizione të përbërë nga 140000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Në këtë sulm, Duçja donte t’i jepte një “mësim” të mirë Hitlerit, mbase shumë pushtime të tijë, (Hitlerit) ai i merrte vesh nga radiot dhe nga gazetat Edhe Ducja tashmë dëshironte që Hitleri pushtimin e Greqisë nga Italia ta merrte vesh nga gazetat.

Ai kishte besim tek kjo fitore, mbase informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke.

Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940 sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasri armike”. Njëkohësisht të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë.

Sipas kësajë logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjestare e kësajë agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuislinge shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta.

Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. Por këto “ fakte” absurde bien vetiu sepse;

1- Shqipëria në atë kohë nuk ishte një vend i lirë dhe sovran ku të ushtronte në mënyrë të pavarur vullnetin e saj politik.

2- Shqipëria nuk gëzonte zotësinë juridike dhe aftësitë politike për të deklaruar lëvizjet e saj të pavarura në hartën politike të Evropës.

3- Shqipëria nuk gëzonte me të vërtetë autoritetin e vërtetë dhe të plotë vetëveprues si një subjekt aktiv i Së Drejtësë Ndërkombëtare.

Pas lufte

Jo shumë kohë mbas luftës së Dytë Botërore, vendet e shpallura agresore dhe vendet viktima të luftës u ulën në tryezat e bisedimeve për të sheshuar problemet e së kaluarës dhe për të shtruar urat e miqësisë të së ardhmes… Këtu mund të përmendim Gjermaninë me Francën … Në të njëjtën rrugë ecën edhe Italia me Greqinë të cilat nënshkruan pakte dhe marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi.

Por këtu qëndron edhe çudia ! Me Italinë u nënshkruan sa e sa marrëveshje, ndërsa me Shqipërinë ngelej në fuqi Dekreti Mbretëror !!! Pra “Ligji i Luftës”. Dhe kjo gjendje me Shqipërinë nuk ishte çështje muajsh apo vitesh, por dekadash të tëra .

Ende Shqipëria konsiderohej vend armik. Si rrjedhojë, midis dy vendeve ishin të ndërprera marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, humane, kulturore-artistike… Ndërmjet dy vendeve ishte vendosur një perde e hekurt ndarje deri në armiqësi.

Dekreti përballë miqësisë së popujve
Aktualisht, në kohën kur po flasim, në Greqi ndodhen më shumë se 700 mijë emigrantë shqiptarë. Viti 1991, do të mbahet si viti i lidhjes së miqësisë më të madhe ndërmjet dy popujve tanë nga më të vjetrit në Evropë.

Ky vit, ishte viti i shpërnguljes masive të shqiptarëve mbas rënies së komunizmit drejt fqinjit tonë jugor, dhe kjo për arsye ekonomike. Populli grek u hapi portat e shtëpisë, u shtroi sofrën me bujari vëllezërve shqiptarë.

Politikat armiqësore shumëvjeçare i kishin ndarë artificialisht këta popuj që kanë shumë gjëra të përbashkëta. As “Ligji i Luftës”, as telat me gjemba nuk mund të ndanin miqësinë e trashëguar në shekuj deri në lidhje gjaku.

Duke parë realitetin e sotëm, ku shqiptarë e grekë punojnë bashkë, kanë krijuar lidhje martesore, aktivitete të përbashkëta tregtare, apo bashkëpunimi i vazhdueshëm kulturor, tregon qartë se “de fakto”, e çdo Dekreti Mbretëror midis dy popujve nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Popujt duan paqe, punë, mirëkuptimì. Politikat duhet ta ulin peshën e tyre të acarimit përballë dëshirës së popujve për bashkëjetesë paqësore.

ps pd pdiu shqiperia greqi ligji i luftes

Lini një Përgjigje