TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Shtator 2024, 13:11

Presidenti Begaj pret në takim të dërguarin britanik për Ballkanin Perëndimor

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti Begaj pret në takim të dërguarin britanik për
Bajram Begaj dhe Stuart Peach

Presidenti Bajram Begaj ka pritur ditën e sotme në një takim, Lordin Stuart Peach i dërguari i Posaçëm i Britanisë për Ballkanin Perëndimor.

Presidenca njofton se u diskutua lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor si dhe rëndësinë e integrimit Euroatlantik.

Ndër të tjera u theksua edhe nevoja për investime në infrastrukturë për forcimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Lordin Stuart Peach, i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor.

Biseda u fokusua në situatën e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe globale, ku u theksua rëndësia e integrimit Euroatlantik përballë pasojave të ndikimit të aktorëve të tretë.

Në këtë kontekst, u theksua që vendet e rajonit të vijojnë të kenë të linjëzuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian.

Rëndësi iu kushtua nevojës për investime në infrastrukturë, që do të mundësonin forcimin e marrëdhënieve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe Korridorit VIII, një projekt që afron vendet midis Adriatikut dhe Detit të Zi.

Gjithashtu, ndryshimet e reja në strukturat evropiane u vlerësuan si një mundësi për përfitim nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Shqipërisë i shprehu Lordit Peach mirënjohje për angazhimin dhe përpjekjet e tij si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, për forcimin e stabilitetit rajonal, atë të institucioneve demokratike dhe ndihmën për trajtimin e sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë.

Një vlerësim të veçantë Presidenti Begaj shprehu për kontributin e dhënë me trupa në KFOR për ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, njofton Presidenca.

bajram begaj presidenca

Lini një Përgjigje