
Presidenca shuan zërat për shkelje të Kushtetutës...
Presidenca ka rrëzuar akuzat e bëra nga Gazment Bardhi dhe përfaqësues të tjerë të opozitës lidhur me "dekretimin" e Diellës.
Pasi Berisha e konfirmoi si kryetar grupi, Bardhi rinisi sulmet dhe akuzat, por duket se e ka keqlexuar dekretin e Presidentit. Ai akuzoi presidentin Begaj se ka dekretuar “Diellën” si ministre dhe kjo është në shkelje të Kushtetutës.
Por në fakt nëse lexohet dekreti, duket qartë se Begaj ka dekretuar Edi Ramën si kryeministër, i cili për efekt procedural do të ushtrojë dhe rolin e ministres së krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
“Sot Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin. Ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme. Baza kushtetuese e dekretit ndodhet në rreshtin hyrës të tij.
Dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje. Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene”, njofton Presidenca.
Pas mandatimit si kryeministër, Rama do t’i dërgojë Begajt edhe dekretet e ministrave të rinj, të cilët i shpalli një ditë më parë në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Pas propozimit të Kryeministrit, Presidenti do të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat. Së pari qeveria duhet të marrë votëbesimin në Parlament në ditët e ardhshme dhe më pas do të zhvillohet ceremonia e betimit në Presidencë.
Bëhet fjalë për 17 ministri, njëra prej të cilave si asnjëherë më parë, do të drejtohet nga një ministër virtuale Diella, e cila do të jetë shërbyesja e prokurimeve publike.
Lini një Përgjigje