
Pesë subjekte që për hir të së vërtetës mund të mos kenë shumë pika të përbashkëta në ato që artikulojnë, por ajo që i bashkon është se të 5-të, pavarësisht se dy prej tyre, kanë qenë deputetë të PD-së (Shehaj dhe Alibeaj) kanë deklaruar se janë kundër politikës së vjetër duke nënkuptuar Berishën dhe Ramën, apo partitë që ato drejtojnë. Dhe pika tjetër që i bashkon është besimi që kanë te SPAK-u apo te drejtësia e re për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë.
Prej vitesh flitet për mundësinë e krijimit të një “poli të tretë” në politikën shqiptare. Ide që nisi të qarkullojë në 2000, si një bashkim i partive të vogla, kundër atyre që konsiderohen si dinosaurët e politikës shqiptare PS e PD, pavarësisht kryetarëve që kanë pasur në kohë të ndryshme.
Një shkëndijë ishte dhënë në zgjedhjet lokale të 1996, ku Bashkinë e Shkodrës e fitoi një grupim “E djathta e bashkuar” që në atë kohë sfidoi PD që ishte në kulmin e pushtetit dhe fuqisë dhe PS-në në anën tjetër, që pavarësisht zhvillimeve të kohës mbetej forcë kryesore politike.
Por ideja e një “poli të tretë” politik pavarësisht se ka qarkulluar vazhdimisht, më shumë është përdorur si një presion nga të vegjlit për të marrë sa më shumë hapësira në koalicionet me partitë e mëdha. Kjo ndodhi në 2001, ndodhi në 2005, ndërsa mundësia më e madhe për kristalizimin e këtij poli, ishte në 2008-ën, kohë kur me ndryshimet Kushtetuese, “të vegjlit” në atë periudhë mund të ktheheshin në një faktor përcaktues.
Dhe për shkak edhe të zhvillimeve, një grupim partish që përfshinin nga LSI e asaj kohe, PDK-në, LZHK, PBDNJ, PAA, dhe plot subjekte të tjera, për shkak të qëndrimit kundërshtues ndaj ndryshimeve Kushtetuese, mund të bëheshin bashkë dhe në 2009-ën të mos ishin nën “sqetullën” e Berishës, Ramës apo të dilnin të vetëm në një sistem që nuk i favorizonte.
Dhe për hir të së vërtetës i vetmi që në atë kohë arriti të merrte një peshë, që më pas e përktheu në pushtet ishte Ilir Meta me LSI dhe 4 mandatet që i konsideruan të arta, por që më pas u kthyen realisht në të florinjta.
Kjo ishte mundësia e parë reale që mund të krijohej një pol politik, ndoshta jo për të dominuar skenën politike, por së paku do të kushtëzonte pushtetin absolut të Njëshave në krye të çdo partie që mund të dilte fituese. Në rastin më të mirë do të kishim subjekte në kufinjtë minimalë të votave parlamentare për të qeverisur, dhe ndoshta asnjëherë mazhoranca solide.
Dhe pas shumë vitesh, zullumi dhe pazaresh politike, vijmë në 2025, vitin elektoral kur në 11 maj do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Në lojë kemi së paku 5 subjekte të reja që drejtohen nga Arlind Qori, Endri Shabani, Adriatik Lapaj, Enkelejd Alibeaj dhe Agron Shehaj. Pesë subjekte që për hir të së vërtetës mund të mos kenë shumë pika të përbashkëta në ato që artikulojnë, por ajo që i bashkon është se të 5-të, pavarësisht se dy prej tyre, kanë qenë deputetë të PD-së (Shehaj dhe Alibeaj) kanë deklaruar se janë kundër politikës së vjetër duke nënkuptuar Berishën dhe Ramën, apo partitë që ato drejtojnë. Dhe pika tjetër që i bashkon është besimi që kanë te SPAK-u apo te drejtësia e re për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë.
Kaq do të mjaftonte që 5 kryetarët të uleshin dhe të dakordësoheshin për të formësuar një pol të tretë në politikë, si rrugën e vetme që mund të përkthejnë në mandate deputetësh votat që do të marrin.
Në të kundërt, nuk do të kishte asnjë vlerë ajo që thonë nga mëngjesi në darkë, nga ekrani në ekran, nga aplikacioni online në një tjetër aplikacion, se janë kundër politikës së vjetër, “përbindëshave” politikë etj.
Pavarësisht dëshirës që mund të kenë në këto muaj fushate për të marrë rol protagonizmi, qoftë edhe përmes populizmave, në 11 maj në kutitë e votimit, apo në 12 e 13 maj kur të dalin rezultatet e zgjedhjeve, protagonizmi i 3-4 muajve nuk do të ketë vlerë, nëse nuk do të arrijnë të maksimalizojnë votat gri. Këto parti të reja mund të kthejnë në hambar votash të tyre elektoratin gri që nuk janë pak, por variojnë nga 30-40%, pa përfshirë këtu votat e diasporës që mund të jenë një tjetër hambar.
Por këto nuk do të kenë asnjë vlerë, nëse votat që mund të marrin të 5-të veç e veç, nuk përkthehen në mandate deputetësh. Përkundrazi votat e tyre që nuk përkthehen në mandate futen në thesin e partisë së parë, që mund të jetë Rama ose Berisha, dhe indirekt këta të rinjtë e politikës, bëhen një patericë për të forcuar pozitat e të vjetërve që luftojnë.
Nëse edhe në 2025 nuk do të arrijnë që të formësojnë një “pol të 3-të politik”, në 2029 vështirë se do të mbahen mend, ose në rastin më të mirë, do të jenë njëlloj si ata të 2001-t, që prisnin rradhën pas derës së Berishës apo Nanos në atë kohë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje