
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në vend, duke shprehur mbështetjen e plotë të opozitës për lëvizjen qytetare dhe duke ftuar demokratët të bëhen pjesë e saj.
Berisha e cilësoi protestën si një reagim masiv kundër qeverisë dhe politikave të saj, duke theksuar se ajo ka tejkaluar kufijtë e përkatësive politike.
“Shpreh mbështetjen e PD për protestën madhështore të rinisë dhe qytetarëve të mbarë Shqipërisë. Protestë, e cila është shndërruar në një uragan të fuqishëm kundër diktaturës autoritare të regjimit të Ramës, të bazuar në farsën zgjedhore, krimin dhe drogën. Tirana nuk ka njohur në historinë e vetë një protestë kaq të fuqishme dhe kaq masive. Ndaj dhe thirrja ime për çdo demokratë dhe demokrate, mbështetës të PD, të bashkohen në protestën e rinisë. Protestë që tejkalon partitë politike. Kërkon me vendosshmëri fundin e regjimit autokratik të Ramës. Kërkon anulimin e disa ligjeve. Është bërë lajm dhe superlajm i televizioneve dhe gazetarëve më të mëdha të botës”, tha Berisha.
Kreu i opozitës akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për qëndrim armiqësor ndaj protestuesve dhe për përpjekjen për të zbehur ndikimin e protestës përmes aktiviteteve politike paralele.
“Jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm cinik, armiqësor të Edi Ramës. Ai kërkon të zhysë vendin në kaos. Është e pafalshme, e papranueshme përpjekja e tij për të sfumuar uraganin e fuqishëm me antimitingje anakronike që ‘gjoja po festoj 35 vjetorin e partisë së krimit. Është cinike, fyese për çdo shqiptar, që t’i kundërvihesh protestës së qytetarëve dhe të rinisë shqiptare me takimin e zgërbonjave, që ngjasojnë nga alfa te omega me takimet e mafies. U bëj thirrje socialistëve të braktisin antimitingjet e Ramës kudo ku janë. Të mos harrojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e PS. Ajo është emëruar tani si Rivdekja e saj, nuk është më Rilindje”, u shpreh ai.
Berisha kritikoi gjithashtu, deklaratat e Ramës ndaj protestuesve. “Një herë i quan si agjentë të huaj, një herë merret me inlfuenceret, dhe është e turpshme që të tregosh ato që tregon ti”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje