
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar pas deklartës së zëvendëskryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj i cili foli lidhur me seancën e së enjtes në Parlament.
Peleshi u shpreh se Parlamenti shqiptar është ndër më liberalët në BE përsa i përket hapësirave dhe lirive të deputetëve.
“Ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës letrare”, tha Peleshi duke iu referuar mënyrës së artikulimit të Gjekmarkajt në seancën plenare.
Agron Gjekmarkaj, nënkryetari demokrat i Kuvendit, gjatë mbledhjes në Konferencën e Kryetarëve, akuzoi përfaqësuesit e mazhorancës socialiste, se po përpiqen të depersonalizojnë opozitën.
"Po përpiqeni të depersonalizoni opozitën, por në fakt po depersonalizoni vetveten. Duke zvogëluar liritë dhe hapësirat e opozitës, keni ngushtuar liritë e hapësirat tuaja jetike, politike e njerëzore", tha Gjekmarkaj.
Sipas Peleshit, opozita po nxit një klimë përplasjesh dhe mosmarrveshjes, duke theksuar se nuk i shërben Kuvendit.
“Nëse ju vazhdoni të mbroni atë që ndodhi dje, në fakt po nxisni një klimë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh që nuk i shërben askujt as Kuvendit, as qytetarëve, as vetë opozitës.
Për sa më përket, gjatë gjithë drejtimit tim dhe në mbarë karrierën time politike, mund të akuzohem vetëm për durimin e tepruar. Kam treguar një durim të jashtëzakonshëm dhe nuk jam marrë, e as do të merrem, me sulme personale ndaj askujt.
E vlerësoj shumë edhe elokuencën tuaj politike, por sot më vjen keq të them se ndërhyrja juaj është thellësisht e ndikuar nga kalkulime politike. Nëse ju vazhdoni të mbroni atë që ndodhi dje, në fakt po nxisni një klimë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh që nuk i shërben askujt as Kuvendit, as qytetarëve, as vetë opozitës”, u shpreh Peleshi.
Lini një Përgjigje