
Situata e përmbytjeve në qarkun e Vlorës mbetet alarmante, ndërsa lumi Vjosë ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në një reagim mbi situatën, kryetari i Partisë Demokratike për Vlorën, Hysni Sharra, ka akuzuar qeverinë për neglizhencë afatgjatë dhe keqmenaxhim të krizës, duke theksuar se shkaku nuk është vetëm një fenomen natyror.
Teksa ka folur për gjendjen, Sharra theksoi paradoksin ironik të Vlorës, e cila vetëm pak javë më parë vuante nga mungesa e theksuar e ujit të pijshëm, ndërsa sot përballet me përmbytje masive. Sipas tij, kjo dëshmon një mungesë totale të planifikimit dhe investimeve strategjike në infrastrukturë.
Kryedemokrati vlonjat kritikoi ashpër deputetin e zonës, Vullnet Sinaj, i cili, sipas tij, në vend që të adresonte krizën aktuale, u përpoq të zhvendoste përgjegjësinë duke fajësuar një projekt rrugor të ndërtuar 13 vite më parë nga qeverisja e mëparshme.
Në një ton sarkastik, Sharra e përshkroi situatën si pjesë të një “komploti ndërkombëtar” kundër kryeministrit Rama.
“Sovinistët grekë dërguan më shumë ujë në Vjosë, shovinistët jugosllavë në Drinin e Zi dhe Albin Kurti na mbushi me ujë edhe Drinin e Bardhë”, deklaroi ai për “Syri Tv”.
Përtej ironisë, Sharra përshkroi një realitet të rëndë në terren. Demokrati tregoi se ndërhyrjet e emergjencës në urën e Mifolit dhe në argjinaturë ishin të vonuara dhe të pamjaftueshme.
Sipas tij, punimet që duheshin kryer gjatë verës, kur niveli i ujit ishte i ulët, u tentuan nxitimthi gjatë kulmit të krizës, çka rezultoi në çarjen e argjinaturës pranë fshatit Bishan, duke e cilësuar gjendjen atje si “katastrofike”.
Ai e quajti një “tallje” deklaratën e kryeministrit se shkak për përmbytjet ishin shishet plastike në lumenj.
Sharra theksoi se ndonëse pastrimi i mjedisit është thelbësor, është e pamundur që mbeturinat urbane të shkaktojnë një katastrofë të përmasave të tilla, duke e konsideruar këtë një problem kombëtar që kërkon zgjidhje serioze dhe jo justifikime.
“Si dëshmi të mungesës së shtetit, është rasti i dëmtimit të rrugës që lidh fshatrat Bashaj dhe Matogjin në Bashkinë Selenicë, ku banorët u detyruan të organizohen vetë me mjetet e tyre rrethanore për të riparuar rrugën e bllokuar”, tha Sharra.
Ai theksoi se kjo nuk është hera e parë që zona përballet me përmbytje të tilla, duke kujtuar situatat e rënda të viteve 2014 dhe 2017, çka tregon një model të përsëritur të dështimit të autoriteteve për të marrë masa parandaluese.
Lini një Përgjigje