
Me zhvillimet e reja në numërimin e votave, ku duket se evidente do të jenë ato të Diasporës, mund të ketë të tjera përmbysje rezultatesh, edhe pse nuk priten më supriza të forta...
Minutë pas minute ka një përmbysje rezultatesh lidhur me mandatet e deputetëve për Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
E ndërsa janë kutitë e fundit që po numërohen, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, ka humbur dy mandate, duke u kuotuar në 50 të tilla nga 52 që kishte.
Një mandat, PD e ka humbur në Vlorë ku numëron vetëm 3 të tilla, ndërsa socialistët e Edi Ramës kanë shtuar numrin në 83, duke e çuar fitoren në Qarkun e Vlorës në 9 mandate. Ndërkohë një mandat, demokratët e humbin në Tiranë, por këtë rradhë atë nuk ia merr PS e Ramës por Mundësia e Agron Shehaj.
Partia e ish-deputetit të PD-së me rreth 20 mijë vota arrin të marrë dy deputetë në Qarkun e Tiranës, ndërsa demokratët nga 14 zbresin në 13 të tilla.
Në këto kushte PD shkon drejt një minimumi që duket se e kthen Edi Ramën në një ‘profet zgjedhor’ pasi gjatë fushatës disa herë e paralajmëronte se Berisha do të pësonte humbjen më të fortë që nga 1997.
Me zhvillimet e reja në numërimin e votave, ku duket se evidente do të jenë ato të Diasporës, mund të ketë të tjera përmbysje rezultatesh, edhe pse nuk priten më supriza të forta.
Gjithsesi me konfigurimet e deritanishme, Edi Rama numëron 83 mandate të pastra socialiste, që do të thotë se është vetëm 1 mandat larg shifrës 84, që shënon shumicën e cilësuar me anë të së cilës një mazhorancë mund të miratojë ligje specifike, përfshi edhe ndryshimet në Kodin Penal, apo atë Zgjedhor, pa përfshirë këtu edhe plot ndryshime të tjera ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Në anën tjetër PD dhe aleatët e saj reduktohen në shifrën e 50 deputetëve, duke qenë fitimtarë vetëm në dy qarqe: Kukës dhe Lezhë. Në Kukës, demokratët e Berishës marrin dy mandate dhe në Lezhë 4 të tilla. Ndërkohë në të gjitha qarqet e tjera regjistrojnë humbje që prej vitesh nuk i provonin.
Si parti e tretë parlamentare renditet PSD e Tom Doshit, që me 3 mandate deputetësh, dy në Shkodër dhe 1 në Tiranë, duket i kënaqur.
Në vendin e 4-t renditet Partia Mundësia e Agron Shehaj, që pavarësisht pritshmërive për të fituar 7 mandate, numëron vetëm dy të tilla në Qarkun e Tiranës.
Ndërkohë Nisma Shqipëria Bëhet do të përfaqësohet me 1 mandat që e kanë fituar në Tiranë, sikundër edhe Lëvizja Bashkë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje