TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Tetor 2025, 09:59

PD vijon negociatat me aleatët për kanditatin e Tiranës, takime me Shehajn dhe PDIU-në

Shkruar nga Pamfleti

PD vijon negociatat me aleatët për kanditatin e

Partia Demokratike ka vijuar këtë të mërkurë, më 1 tetor, negociatat për përzgjedhjen e kandidatit që do të garojë kundër Ogerta Manastirliut në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, nëse ato do të zhvillohen.

Përfaqësuesit e PD-së do të takohen në një hotel në Tiranë, me kryetarin e partisë Mundësia, Agron Shehajn. Takime do të ketë edhe me përfaqësues të PDIU-së, së drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Javën e kaluar, PD pati disa takime me aleatët, ku tre të mandatuarit, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe Flamur Noka, nisën bisedimet me Fatmir Mediun nga PR dhe Agron Dukën nga PAA. PD pritet të intensifikojë takimet me partitë opozitare në javët në vijim, me synimin për të ndërtuar një front të bashkuar përballë mazhorancës në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Këto negociata po zhvillohen pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se për Partinë Socialiste, në garë për Bashkinë e Tiranës do futet Ogerta Manastirliu. Këto zhvillime vijnë pas shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili qëndron në paraburgim që kur u arrestua më 10 Shkurt. Mirëpo sjellim ndërmend se Veliaj e ka ankimuar vendimin për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Në një reagim ditën e djeshme, lidhur me fatin e Bashkisë së Tiranës, pas ankimit të bërë nga Erion Veliaj një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese është shprehur se me regjistrimin e kërkesës së tij, i gjithë procesi është pezulluar.

Lini një Përgjigje