
Partia Demokratike ka paralajmëruar padi ndaj ministres së Transportit Belinda Balluku, për aferat në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Sekretari për Çështjet Ligjore të PD, Indrit Sefa, ka deklaruar se ARRSH ka shpallur 13 tenderë rrugësh me vlerë 200 milionë euro me kritere që minojnë garën për të favorizuar të njëjtët oligarkë. Ai tha se Balluku favorizon 5 oligarkë të përhershëm që marrin tenderë.
“Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur të paktën 13 procedura tenderimi për ndërtim, zgjerim ose rehabilitim rrugësh, në një vlerë totale afërsisht 200 milionë euro. Këto procedura janë publikuar edhe në media ndërkombëtare, ku natyrisht, qëllimi i shprehur është për të marrë oferta edhe nga kompani ndërkombëtare sipas përcaktimeve ligjore për tenderë me vlerë të madhe monetare.
Por, Balluku me zgjatimet e saj në ARRSH me qëllim që të shmang futjen në garë të kompanive të huaja, për të favorizuar ata 5 oligarkët e përhershëm që marrin këto tenderë ka vendosur në kriteret e tenderimit kushte dhe afate që asnjë kompani e huaj nuk ka mundësi t’i plotësojë”, tha Sefa.
Për këtë arsye, selia blu, përmes sekretarit ligjor Indrit Sefa paralajmëron padi në SPAK për Belinda Ballukun si ministre e linjës dhe çdo funksionar të ARRSH që ka firmosur kriteret.
“Përballë këtij skandali, Partia Demokratike do ta ndjekë në vazhdimësi e do të marrë të gjitha masat ligjore që kjo bandë hajdutësh të parave të shqiptarëve, të cilët duan të vjedhin dhe të favorizojnë të njëjtët oligarkë me taksat e shqiptarëve, të përfundojnë pas hekurave të qelisë siç përfundoi dhe drejtori i tyre famkeq Ervis Berberi. Për këtë arsye, brenda pak ditësh do të depozitojmë në SPAK një kallëzim penal të detajuar për këtë bandë hajdutësh të drejtuar nga Belinda Balluku si ministre e linjës dhe duke përfshirë çdo funksionar të ARRSH që ka firmosur kriteret për të përjashtuar kompani shqiptare apo të huaja për të marrë pjesë në garë,” u shpreh ai.
Lini një Përgjigje