
Mësohet se në Konventën e PL do të propozohen ndryshime në statut. Meta ka propozuar që në struktura drejtuese nuk mund të ketë anëtarë të një familje...
Ka degraduar sherri mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Ashtu sikundër e paralajmëroi, kreu i PL duket se do ta largojë gruan nga strukturat drejtuese të partisë.
Sot në mbledhjen e Kryesisë, Meta deklaroi se nuk mund të ketë parti me dy shoferë. Por mësohet se në Konventën e PL do të propozohen ndryshime në statut. Mësohet se Meta ka propozuar që në struktura drejtuese nuk mund të ketë anëtarë të një familje. Kjo do të thotë që Kryemadhi do përfundojë anëtare e thjeshtë, për të mos shkuar te përjashtimi total nga partia.
“Ftoj këdo që ka dëshirë të drejtojë më mirë PL të kandidojë në konventën që vjen. Ftoj cilindo që ka një platformë më të mirë, ta paraqesë. Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë në timon dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatin e autobusit.
Duhet shpejtësi, duhet vendimmarrje, fuqizim i organizmit dhe përqendrim i mesazhit te 5 prioritetet dhe një vendimmarrje vertikale në zbatimin e çdo vendimi që merr Konventa dhe gjitha forumet më pas”, tha Meta sot. Por kreu i PL duket se i ka pasur gati dhe ndryshimet statutore, duke dashur që pas 20 vitesh të tregojë se kjo parti nuk është familjare.
Sherri mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit duket se lidhet me hetimet që po bën SPAK. Shumica e pasurisë është në emër të Monikës dhe kjo e fundit rrezikon t’i humbasë. Madje dhe pak ditë më parë në Parlament i dërgoi mesazh Metës, kur u shpreh: “Burrat po na përdorin si mish për top”. Atë ditë në SPAK ishte nëna e saj, që u mor 5 orë në pyetej. Kur u pyet Meta të shtunën për thirrjen e vjehrrës në SPAK, u shpreh i painteresuar, gjë që tregon se deri ku ka degraduar situata. Madje ka zëra se ka pasur edhe përlasje fizike mes tyre.
Por jo vetëm kaq, mësohet se Meta ka urdhëruar që të largohen nga partia të gjithë besnikët e Monikës. Kur kjo e fundit mori drejtimin e partisë, largoi emrat që ishin krah Metës, si Haxhinasto, Lefter Koka, apo dhe Nasip Naço. Po ashtu vendosi në struktura besnikët e saj.
Mirëpo Ilir Meta ka frikë se Monika i bën puç, sikundër i ka bërë me pasuritë. Për këtë arsye dy njerëzit që po mban më afër janë Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi, gjithë të tjerët i ka distancuar. Të mendosh që LSI e krijuan parti familjare dhe tani të degradojnë të dy në këtë gjendje. Nuk thonë kot, SPAK të bën hatanë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje