Sipas draftit, anëtarët e Kushtetueses do kenë një pagë afërsisht sa ajo e Presidentit, ndërkohë që do të përfitojnë një shtesë mbi pagën deri në 58 për qind...
Tjetër pazar i fshehtë Rama-Berisha në Kuvend. Edhe pse shahen e çfarë nuk thonë për njëri-tjetrin në publik, në fakt në prapaskenë janë bashkë. Komisioni antikorrupsion u ngrit vetëm nga PS, por mësohet se PD do të marrë pjesë. Mirëpo duket se është arritur një tjetër pazar. Nesër Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare dhe në rend dite është futur në sekret të plotë, ligji që rrit ndjeshëm pagat e anëtarëve të Kushtetueses.
Në korrik të vitit që kaloi, PS propozoi një ndryshim në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku parashikohet që anëtarët e Kushtetueses të marrin deri në 6.5 mln lekë në muaj. Ky ligj kërkon 84 vota dhe dështoi të miratohej. Si grupi i Berishës ashtu dhe ai i Bashës e cilësuan si një ligj që bëhet për të kapur anëtarët e Kushtetueses. Drafti mbeti në sirtarët e Kuvendit, por Nikolla e ka rikthyer.
Javët e fundit Kushtetuesja ka dhënë një sërë vendimesh në favor të qeverisë dhe duket se Rama është rivënë në lëvizje të shpërblejë 9 anëtarët e kësaj gjykate. Por fakti që ligji futet në rend dite, do të thotë se është siguruar dhe mbështetja e opozitarëve.
Por çfarë parashikon saktësisht drafti? Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë.
Sipas ligjit, ata do kenë një pagë afërsisht sa ajo e Presidentit, ndërkohë që do të përfitojnë një shtesë mbi pagën deri në 58 për qind.
“Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.96 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë”, thuhet në ligj.
Po ashtu në nenin 17 shtohet pika: “Përveç pagës mujore, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese përfiton një shtesë për shkak të natyrës së veçantë të punës, në masën 58% për qind të pagës.”
Ndërkohë benefitet do të jenë më të mëdha për kryetaren, e cila do përfitojë rritje page, shtesë page 58 për qind dhe 20 për qind shtesë mbi to. /Pamfleti
Lini një Përgjigje