TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Maj 2025, 15:29

Pas zgjedhjeve, Kuvendi rinis punë; Spiropali thërret seancë më 29 maj

Shkruar nga Pamfleti

Pas zgjedhjeve, Kuvendi rinis punë; Spiropali thërret seancë

Pas dy muajsh bllokadë të heshtur, Kuvendi i Shqipërisë pritet të rifillojë punimet me një seancë plenare më 29 maj, ora 12:00.

Vendimi është firmosur nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila prej marrjes së detyrës ka qenë më aktive në media sesa në sallën e Parlamentit. Ky rikthim vjen ndërkohë që vendi ka hyrë tashmë në periudhën post-zgjedhore dhe me një mandat parlamentar që po shkon drejt fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, seancat do të vijojnë deri më 8 korrik, duke respektuar kufirin kushtetues që ndalon shqyrtimin e projektligjeve të reja 60 ditë para përfundimit të mandatit. Kjo do të thotë se legjislatura aktuale ka vetëm pak javë kohë për të mbyllur detyrat e fundit; ndryshe, shumë vendimmarrje do t’i mbeten Kuvendit të ri.

Mandati i deputetëve aktualë përfundon më 8 shtator, datë kur do të konstituohet legjislatura e re, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Deri atëherë, publiku do të mbetet në pritje të një Kuvendi më efikas dhe më pak ceremonial.

Lini një Përgjigje