Watergate à la française: Macron në valën e një skandali me ujë të ndotur
Si u përfshi Presidenti i Francës në mbulimin e një skandali shëndetësor me ujë mineral, dhe çfarë implikimesh ka për të ardhmen politike të tij dhe për imazhin e industrisë ushqimore europiane Konteksti diplomatik dhe politik
Në thelb të kësaj krize qëndron mosrespektimi i një norme thelbësore të BE-së: që uji mineral natyral të jetë i paprekur nga trajtime të mëvonshme. Sipas raportit të Senatit francez, qeveria, përfshirë nivelet më të larta të Elizesë, ka qenë në dijeni të shkeljeve të Nestlé që nga viti 2022. Zyrtarë të kabinetit të Macron kanë pasur takime me përfaqësues të Nestlé dhe lobistët e saj për të “menaxhuar komunikimin” dhe për të “zbutur efektet e krizës”.
Ky zhvillim nuk është më thjesht çështje teknike e industrisë ushqimore, por është kthyer në një krizë të pastër politike dhe morale. Pyetja “Çfarë dinte Macron dhe kur e mësoi?” nuk është më një pyetje retorike, ajo është tani objekt hetimi parlamentar dhe presion mediatik.
Implikimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare
Franca, si një nga shtyllat kryesore të BE-së dhe një vend me ndikim të madh në standardizimin e rregulloreve europiane të sigurisë ushqimore, ndodhet nën një reflektor ndërkombëtar. Nëse provohet që Elize ka bashkëpunuar për të fshehur rrezikun shëndetësor nga produktet e Nestlé, kjo do të shkatërrojë besimin ndaj institucioneve franceze dhe do të ketë jehonë në Bruksel dhe në qeveritë e tjera të BE-së.
Një reflektim më i gjerë
Ky është një shembull ilustrues i asaj që ndodh kur rregullatori bëhet bashkëpunëtor i të rregulluarit. Skandali zbulon një model të hershëm të bashkëpunimit të fshehtë midis shtetit dhe industries, që në këtë rast, jo vetëm ka cenuar standardet, por ka rrezikuar shëndetin publik. Skandalet e mëparshme të Nestlé me picat dhe baktere të rrezikshme vetëm e thellojnë panoramën e papërgjegjshmërisë korporative.
Çfarë pritet më tej?
Presioni ndaj Macron po rritet. Ai mund të përdorë taktika të zakonshme për të shpëtuar: shkarkim këshilltarësh, premtime për reformë, dhe përqafim të retorikës së “mbrojtjes së konsumatorit”. Por nëse Senati vazhdon të ekspozojë fakte të reja, kjo mund të dëmtojë jo vetëm mandatin e tij të dytë, por edhe të ardhmen e centrizmit politik francez./Pamfleti
Lini një Përgjigje