
Emiratet e Bashkuara Arabe duket se po futen fuqishëm në vendin tonë. Porti i Durrësit është marrë në administrim prej tyre, por duket se tashmë ata do të kenë në dorë dhe sigurinë kibernetike.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, ku u nënshkrua një marrëveshje strategjike mes Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Rama në fjalën e tij falënderoi Emiratet Arabe për mbështetjen.
“Më lini të shpreh mirëseardhjen nga zemra ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri. Emiratet e Bashkuara është një vend që ka qenë i pranishëm kur ne e kemi pasur më të nevojshme për të mos u ndjerë të vetëm. Duke e nisur me eksodin e madh masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë kur presidenti aktual i Emirateve të Bashkuara, i shoqëruar nga një grup i madh njerëzish për të sjellë ndihmë e lehtësim dhe kur u hap rruga për uljen e avionëve në Kukës për të ndihmuar ata që ishin shumë në nevojë.
Miqësinë e kemi ndjerë dhe më duhet të them që vitet e fundit kanë shenjuar zhvillime tejet positive. Si dëshmitar i vullnetit të plotë të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u bërë pjesë e një rrugëtimi të gjatë por edhe për të bërë gjithçka për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës si dhe për t’u siguruar që të gjitha vendet bashkë të marrin gjithmonë e më tepër së bashku në të ardhmen dhe të jenë më pak të lidhur me të shkuarën. Nuk është motivim i mirë nëse nuk shohim arsye për të vrapuar drejt së ardhmes.
Miku im, e di që keni shumë punë, duhet të shkoni nga njëra pikë në tjetrën. Jeni gjithmonë në vrap e sipër por nuk ju kam zili. Ne ju vlerësojmë e jemi të bekuar që kemi qenë kaq të privilegjuar për këtë periudhë historike që pas një izolimi të gjatë mundëm të takojmë njerëz si ju dhe si popullin e emirateve që na e bëjnë jetën më të bukur se jo vetëm s’ndihemi vetëm por jashtë mase të respektuar”, tha ai.
Lini një Përgjigje