
Partia Socialiste është tërhequr nga gjinia gjithëpërfshirëse dhe ka dorëzuar 22 amendamente për pr.ligjin për Barazinë Gjinore. Në projektligj specifikohen vetëm 2 gjini, ‘burrë dhe grua’, e cila do të votohen në 30 tetor në Parlament.
Me firmën e kreut të grupit parlamentar socialiste, Taulant Balla, janë propozuar jo pak por 22 amendamente ndaj draftit të Ministrisë së Shëndetësisë për të rivendosur në shina, atë që propozuesi e cilëson si humbjen e konceptit klasik në shoqërinë shqiptare, ku ka dy gjini mashkullore dhe femërore.
Amendamentet nisin që në nenin e parë të drafit të qeverisë, e cila kishte parashikuar që ky ligj të rregullojë çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore si dhe trajtimit të barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore.
Në variantin e firmosur nga Taulant Balla janë hequr fjalët “pavarësisht përkatësisë gjinore”, duke u zëvendësuar me “si dhe trajtim të barabartë mes grave dhe burrave”.
Në relacionin që i bashkëngjitet projektligjit thuhet se togfjalëshat “përkatësi gjinore” apo “përkatësisë së shumëfishtë”, synojnë të përfshijnë në gjini të gjithë individët që për shkak të diversitetit seksual nuk e konsiderojnë veten në asnjërën prej gjinive burrë apo grua.
“Këto përcaktime synojnë të përfshijnë në gjini të gjithë individët që për shkak të diversitetit apo përkatësisë së shumëfishtë apo diversitetit seksual nuk e konsiderojnë veten në asnjërën prej gjinive burrë apo grua. Shoqëria shqiptare e koncepton gjininë të ndarë në konceptim binar burrë dhe grua dhe ky koncept është përfshirë gjithashtu në të gjithë legjislacionin në fuqi, që rregullon të drejtat e individit, kundër diskriminimit, Kodin e Familjes, Kodin e Punës dhe ligjin e nëpunësit civil etj. Futja e këtyre koncepteve të sipërcituara në projektligj ndikon në mosharmonizimin e tij me legjislacionin në fuqi, i cili pranon konceptin binar “burrë dhe grua””, thuhet në relacion.
Taulant Balla i ka dhënë një përgjigje edhe atyre që përdorin argumentin se shoqëria duhet të ketë më shumë se dy gjini për shkak se kjo është edhe një praktikë juridike europiane.
Sipas deputetit socialist, Gjykata e Drejtësisë e BE-së që mbron personat transgender nga diskriminimi, mbështetet në interpretimin e diskriminimit bazuar në gjini, jo në njohjen e një gjinie të tretë.
“Legjislacioni aktual i BE-së për barazinë gjinore (siç është Direktiva 2006/54/KE dhe direktiva të tjera, të cilat pretendohet të përafrohen përmes këtij projektligji) nuk parashikojnë një “gjini të tretë” apo kategori të tjera përtej binaritetit burrë-grua”, thuhet në relacion.
Në dokumentin prej 3 faqesh të kreut të grupit të PS-së, është fshirë termi “përkatësi e shumëfishtë” e drafit të qeverisë në 15 raste kur ai përdorej, duke konfirmuar kështu qëndrimin se në Shqipëri edhe pas miratimit të këtij ligji, do të njihen zyrtarisht vetëm dy gjini, mashkullore dhe femërore.
Kujtojmë se komunitetet fetare në vend, ai Mysliman i Shqipërisë, Kisha Katolike, ajo Ortodokse, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore u bënë bashkë për të analizuar disa nene e përkufizime të draftit që sipas tyre bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.
Sipas komuniteteve fetare kjo terminiologji për përkufizimin e gjinisë apo dhe përdorimi i nocioneve si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësirë për keqinterpretim.
Lini një Përgjigje