TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Shtator 2024, 19:19

Partia Demokratike zhvendos datën e protestës, Berisha thirrje për bllokim rrugësh më 7 tetor

Shkruar nga Pamfleti

Partia Demokratike zhvendos datën e protestës, Berisha thirrje

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka njoftuar se protesta e paralajmëruar do të zhvendoset në datën 7 tetor, ditën e hënë.

Edi Paloka njoftoi para demokratëve se thirrja për qytetarët është që të protestojnë duke nisur nga Kryeministria dhe më pas në të gjitha rrugët e kryeqytetit.

Më herët protesta e opozitës ishte njoftuar për datën 6 tetor, ditën e dielë, ndërsa vetëm pak më herët u raportua një ndryshim i planeve.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh në fjalën hapëse të Këshillit Kombëtar se demokratët do duhet të hidhen në sulm duke përdorur të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Ai kërkoi më 7 tetor bllokim rrugësh në gjithë Shqipërinë.

"Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vend këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve.

Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente.

Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Këto instrumente nuk janë 600 mijë shqiptarë që na kanë votuar zgjedhjet e fundit, jo, mjaftojnë vetëm disa mijëra prej tyre që sot janë gati në këmbë për rezistencë të qëndrueshme, pa kthim, deri në fitore, por presin udhëheqjen tuaj, frymëzimin tuaj, orientimin tuaj, organizimin tuaj, mobilizimin tuaj.

Ndaj dhe kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës", tha Berisha. 

Lini një Përgjigje