
Ende pa nisur fushata elektorale, disa prej kandidateve të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” kanë filluar fushatën elektorale me aktivitete prezantuese. Krahas nisjes së fushatës përpara afatit ajo çka bie në sy është fryrja e aktiviteteve nga ana organizative dhe logjistike mbi të cilat ngrihen dyshime për burimin e financimit.
Gjatë marsit dhe fillim prillit vetëm Sali Berisha ka zhvilluar të paktën 12 aktivitete ku ka prezantuar kandidatët e “foltores” për zgjedhjet e 14 majit. Por Berisha nuk e ka me në dorë financën e partisë në momentin që PD zyrtarisht nuk i takon më atij. Pikëpyetja është me çfarë fondesh janë paguar aktivitetet që i kanë paraprirë fushatës. Organizime të tilla siç ABC mësoi, kushtojnë 4-6 mijë euro, të cilat po të shumëzohen me numrin e aktiviteteve kalojnë 60 mijë eurot. Vetë Berisha kur u pyet në lidhje me financat e fushatës tha se do të ecej përpara me donacione dhe transparencë.
Por deri tani transparencë nuk është bërë për asgjë. ABC mësoi në KQZ, se aty nuk është dërguar asnjë informacion për shumat e shpenzuara e as për burimin e tyre sidomos për aktivitete që janë zhvilluar jashtë fushatës zyrtare. Përgjegjësia e Berishës me status “non grata” mbi shpinë për të bërë transparencë se kush ka financuar mbi 60 mijë euro nga 30 marsi-8 prill aktivitetet e tij është e dyfishtë. Së pari ndaj publikut dhe së dyti ndaj DASH, që argumentonte korrupsionin madhor si një ndër arsyet përse atij i ndalohet të kalojë oqeanin. /ABC
Lini një Përgjigje