
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me banorët e njësisë 5. Ai vijoi akuzat kundrejt kryetarit aktual Erion Veliaj, në lidhje me ndërtimin e shkollave dhe kopshteve.
Këlliçi vuri theksin te disa zona të Tiranës, ku janë premtuar ndërtimet e shkollave dhe kopshteve, por që aktualisht nuk ka as shkollë, as kopsht, as çerdhe.
“Çfarë ndodh me 38 mijë fëmijët e tjerë në këtë qytet? Çfarë ndodh me të gjithë zonën nga Liqeni i Thatë deri në Kodra e Diellit që janë pothuajse 54 mijë banorë dhe nuk ka 1 çerdhe, 1 kopsht apo 1 shkollë për të mos shkuar te Unaza e Re që nuk është zona juaj, por që janë 70 mijë banorë dhe nuk kanë 1 kopsht, 1 çerdhe apo 1 shkollë”, tha Këlliçi.
Ai shtoi se shpeshtia e autobusëve që vijnë sjellin një problematikë shumë të madhe. Ai theksoi edhe njëherë premtimin mbi oazet e gjelbra dhe rendësin që kanë këto për qytetin e Tiranës.
“Çfarë ndodh me njësinë nr. 5 ku ne jemi në zemër të Tiranës dhe një nga problemet tuaja më të mëdha vetë ma keni thënë përherë është mungesa e hapësirave të gjelbra padiskutim, mungesa e parkimit është bërë sikur po luan bingo që të gjesh një vend parkimi në lagje, është trafiku kaotik, është betonizimi i tejskajshëm i kësaj zone dhe sigurisht mungesa e transportit publik cilësor. Shpeshtia e autobusëve që vijnë ka një problematikë shumë të madhe në këtë zonë, ka një problematikë shumë të madhe jo vetëm në njësinë nr 5 por në të gjithë Tiranën me biznesin në tërësi”, tha ai.
Lini një Përgjigje