
Ka shumë politikanë që prej vitesh nuk shkelin në SHBA...
Ambasada e SHBA në Tiranë, para dy ditësh lëshoi një mesazh interesant lidhur me politikën e revokimit apo bllokimit të vizave.
Duke qenë se ishte ditë e diel, lajmi kaloi pa shumë bujë, por ambasada duket se ka dërguar një mesazh shumë të qartë për shumë emra në vendin tonë.
“Departamenti i Shtetit i SHBA është i përkushtuar ta bëjë Amerikën më të sigurt përmes politikave më kërkuese. Një masë thelbësore është kontrolli i vazhdueshëm i vizave për të gjithë individët, duke garantuar sigurinë dhe integritetin e kombit tonë.
Kontrolli i vizave në SHBA nuk ndalet pas lëshimit të vizës. Ne i kontrollojmë vazhdimisht mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së – dhe ne do t’ua revokojmë vizat dhe do t’i dëbojmë nëse nuk e bëjnë këtë”, thuhej në njoftimin e ambasadës.
Duke u nisur nga ky mesazh, duhet theksuar se përveç shpalljes “non grata” nga DASH, Uashingtoni ndjek dhe një tjetër politikë për zyrtarët e korruptuar apo të dyshuar se janë përfshirë në afera, atë të heqjes së vizave. Nëse shohim me kujdes, ka shumë politikanë që prej vitesh nuk shkelin në SHBA. Vetëm një grusht emrash kemi parë të udhëtojnë, pasi shumë të tjerëve u janë hequr vizat (ata që i kanë pasur aktive), ndërsa shumë të tjerëve u janë refuzuar aplikimet.
Në vitin 2019 doli për herë të parë një shifër. Në atë kohë u tha se janë 170 zyrtarë që u janë refuzuar vizat. Por kjo shifër është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Sipas informacioneve, SHBA ka qenë e përpiktë kur vjen puna tek emrat e akuzuar apo përfolur për afera.
Të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ngelur në vetting, e kanë të pamundur të udhëtojnë në SHBA. Po ashtu një pjesë e madhe e atyre që janë nën akuzë nga SPAK, po ashtu nuk e shkelin dot tokën amerikane. Këtu përfshihen deputetë, ish-ministra, krerë bashkish, gjyqtarë, prokurorë apo policë dhe avokatë. Pra kushdo që është në radarin e SPAK, ta harrojë se mund të udhëtojë drejt SHBA.
Me politikat e reja të Trump, duket se kjo listë do të zgjerohet. Me shumë interes pritet të shihet se kush do të jetë ambasador i SHBA në vendin tonë, pasi patjetër prezenca e tij ka rol kyç në politikën që ndjek ambasada. /Pamfleti
Lini një Përgjigje