TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Janar 2025, 22:41

Pakti Rama-Berisha, votat e emigrantëve do numërohen nga komisionerët partiakë

Shkruar nga Pamfleti

Pakti Rama-Berisha, votat e emigrantëve do numërohen nga

Votat e emigrantëve do të numërohen nga komisionerët partiakë, njëlloj sikundër ndodh me numërimin e votave të votuesve shqiptarë që votojnë Brenda vendit.

Ky duket se është pakti i dakordësuar mes përfaqësuesve demokratë dhe socialistë, që pritet të konkretizohet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor brenda janarit, duke i hapur rrugën kështu jo vetëm procesit të regjistrimit të votuesve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por edhe mbulimit të kostove financiare të postës, afateve se kur duhet të mbërrijnë fletët e votimit dhe procesit të numërimit të votave.

Procesi i regjistrimit të emigrantëve ka nisur prej pothuajse 1 jave, ndërkohë që pasi të konfirmohen si votues, zarfat me votat e tyre duhet të mbërrijnë në KQZ në javën e dytë të prillit, duke qenë se procesi i votimit është i lidhur me procesin e shpalljes së kandidatëve për deputet nga forcat politike apo koalicionet.

E ndërsa në një draft të propozuar nga KQZ, Komisioni i Numërimit dhe Vlerësimit të Votës nga Jashtë, dhe Grupet e Numërimit, të Votave nga Jashtë do të përbëhen nga anëtarë të caktuar nga KQZ, ndërkohë që dy partitë e mëdha PD e PS do të kenë vetëm vëzhgues, duke synuar kështu komisione të depolitizuara.

“Komisioni i Numërimit dhe Vlerësimit të Votës nga Jashtë përbëhet nga tre anëtarë të caktuar nga KQZ, jo më vonë se 20 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe partia më e madhe e pakicës parlamentare kanë të drejtë të caktojnë nga një anëtar vëzhgues”, thuhej në propozimin e KQZ.

Por nga negociatat e zhvilluara mes Damian Gjiknurit (PS), Oerd Bylykbashi (PD), Ilirjan Celibashi (KQZ) dhe Ivi Kaso, përfaqësues i PD në KQZ, duket se dakordësia është që të pranohet propozimi i demokratëve, që komisionet e vlerësimit të votës dhe numërimit të jenë të përbërë nga komisionerëve partiakë.

Tashmë pritet formalizimi në Kuvend i ndryshimeve teknike në Kodin Zgjedhor, që duket se do të vendosin edhe më shumë nën kthetrat e dy partive kryesore, PS-PD, administrimin e zgjedhjeve dhe votës së shqiptarëve. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje