
Partia Demokratike është rikthyer në Kuvend senacën e sotme dhe ka vendosur të heqë dorë nga kaosi për të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin.
Rikthimi në seancë plenare ishte paralajmëruar nga kreu i grupit, Gazment Bardhi ndërsa vendimi u mor sot në një mbledhje në selinë blu.
Në këtë seancë, çështja kryesore që do të diskutohet është projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”.
Të pranishëm do të jenë edhe deputetët e Partisë Demokratike që u përjashtuan pas tensioneve në parlament dhe djegies së karrigeve. Më herët, Gjykata Administrative e Tiranës ka shfuqizuar vendimin për përjashtimin e 24 deputetëve të Partisë Demokratike nga seancat plenare.
Sekretariati i Etikës dënoi Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledion Nallbatin me përjashtim 60 ditë nga Kuvendi, 10 ditë për Edi Palokën dhe me 40 ditët, 20 deputetët e tjerë.
Pas vendimit të Gjykatës Administrative, reagoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Kreu i grupit të PD, i kërkoi në Kuvend dorëheqjen Elisa Spiropalit duke thënë se me urdhër të krimit të organizuar ka penguar opozitën që të marrë pjesë në Kuvend.
Bardhi i referohet vendimit të Gjykata Administrative që anuloi përjashtimet e deputetëve të opozitës nga punimet parlamentare, duke rrëzuar vendimin e Kuvendit për përjashtimin me 40 dhe 60 ditë të më shumë se 20 ligjvënësve demokratë.
"Duhet të dorëhiqeni nga funksionet se për 30 ditë keni penguar opozitën pa ligj dhe rregullore me urdhër të krimit të mos marrë pjesë në seancat plenare në kundërshtim me vendimet e Kushtetueses, Kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit, i keni vënë deputetëve të opozitës kangjella hekuri, në shkelje të ligjit keni futur forcat speciale për të ndaluar në Kuvend deputetë e opozitë. Ti zonjë që je përfaqësuese e krimit të organizuar do duhet të dorëhiqesh se për një muaj nuk ke lejuar deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre. Bashkë me këtë zonjën e vezëve në rresht të dytë do duhet të ndjeni vetëm turp dhe si shenjë përgjegjësie për atë që i keni bërë kësaj salle, duhet të jepni dorëheqjen", tha Bardhi.
Lini një Përgjigje