
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi duket se nuk do të heq dorë nga llogaridhënia mbi çështjen Xibraka, ku dyshohet se është i përfshirë vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.
Bardhi ka paraqitur mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend.
Në kërkesë e Bardhit specifikohet se nga viti 2014 e në vijim, Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Më tej shtoi se agjencitë ligjzbatuese evropiane dhe raportet ndërkombëtare evidentuan faktin se grupet kriminale të angazhuar në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike dhe se kishin bashkëpunëtorë të ngushtë në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit dhe Qeverisë, të cilët përbënin garancinë e tyre për vijimin normalisht të aktivitetit kriminal.
Kërkesa e plotë e Gazment Bardhit
Nga viti 2014 e në vijim, Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kanabis. Agjencitë ligjzbatuese evropiane dhe raportet ndërkombëtare evidentuan faktin se parcelat e mbjella me kanabis ishin shpërndarë përgjatë gjithë territorit shqiptar, nga jugu në veri. Grupet kriminale të angazhuar në prodhimin dhe shitjen e kanabisit, kishin bashkëpunëtorë të ngushtë në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit dhe Qeverisë, të cilët përbënin garancinë e tyre për vijimin normalisht të aktivitetit kriminal.
Në vendet kufitare me Shqipërinë, vecanërisht në Itali, agjencitë ligjzbatuese arritën të sekuestrojnë me mijëra ton lëndë narkotike të llojit kanabis me origjinë nga Shqipëria. Kjo i nxiti organet e drejtësisë italiane që të kryenin hetime më të thelluara, vecanërisht përgjimet e kryera nga Prokuroria e Katanias, si rezultat i të cilave do të arrihej të zbulohej që një grup kriminal i drejtuar nga vëllezërit Habilaj kishte lidhje të ngushta familjare dhe miqësore me ministrin e Brendshëm të kohës Saimir Tahiri.
Ky i fundit, sic do të provohej më vonë nga gjykata, iu kishte vënë në dispozicion kushërinjve të tij automjetin personal, iu kishte krijuar lehtësi në aktivitetin e tyre kriminal dhe kishte marrë përfitime të paligjshme nga vëllezërit Habilaj. Marrëdhëniet familjare dhe miqësore të vazhdueshme, mospërmbushja e rregullt e detyrës për të favorizuar kushërinjtë e tij dhe përfitimet e paligjshme, të provuara përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, do të krijonin bindjen e gjyqtarëve të Gjykatave Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dënuar ish-ministrin Tahiri me 3.4 vite burg për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës”.
Këto dyshime bazohen në faktin se një prej bashkëpunëtorëve të paidentifikuar është një shtetas 45 vjec, me flokë të shkurtër, përdorues i automjetit AA 653 DM. Olsi Rama asokohe ishte 45 vjec, me flokë të shkurtra dhe përdorues i automjetit AA 653 DM, i përdorur edhe nga pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal Genci Xhixha, Gentian Gjonaj dhe Ermal Hoxha. Sipas të dhënave të sistemit TIMS nga 18 hyrje-dalje të makinës, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës. Sipas gjykatës, policia dhe prokuroria kanë kryer hetime të mangëta dhe nuk kanë identifikuar bashkëpunëtorët e grupit. Përdorimin e këtij automjeti dhe njohjen me eksponentët e grupit kriminal do ta pohonte edhe vetë Olsi Rama ditën e publikimit të denoncimit, 28 Mars 2024.
Në të dyja linjat e trafikut, qoftë të lëndës narkotike kanabis sativa, ashtu edhe atë të kokainës, është vërtetuar se elementët e krimit të organizuar kanë bashkëpunuar me drejtues të Policisë së Shtetit. Kjo rezulton të jetë e vërtetë edhe në ditët e sotme, sic del nga deklarata e bërë nga drejtuesi i SPAK në raportimin e tij përpara KLP-së: “Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë në nivele të larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe cështjeve që kemi nën hetim e sipër.”.
Megjithëse, është tashmë e provuar se fenomeni i prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike kanabis sativa dhe kokainë ka filluar masivisht në vitin 2014, raportimet e agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe të huaja dëshmojnë se këto fenomene vazhdojnë të jenë të pranishme dhe shqetësuese në territorin shqiptar. Në këto kushte, vlerësojmë se është detyra jonë si deputet të Kuvendit të Shqipërisë, që të shqyrtojmë me përparësi këtë problematikë dhe të kërkojmë nga qeveria marrjen e masave të mënjehershme. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vendin tonë.


Lini një Përgjigje