
Për deputetin e PS Petro Koçi, zgjedhjet e 11 majit kanë qenë të rregullta dhe reflektuan një fitore të qartë të PS-së.
I ftuar në emisionin 'Repolitix', Koçi tha se PD mori një humbje të thellë në këto zgjedhje, ndërsa theksoi se Berisha doli më i humbur se Basha në 2021.
‘Zgjedhjet ishin normale. Nëse në një qark gjenden raste që në procesverbal s’është rezultati real dhe do kërkoj një korrigjim, por kjo nuk përmbys rezultatin e zgjedhjeve. Këtu kemi të bëjmë me një fitore të PS dhe me një humbje të rëndë të PD. Berisha doli më i dështuar se Basha, kjo ishte vetëvrasje politike e Berishën në krye të PD, ne kemi marr të njëjtat vota. Kështu që mirënjohje të thellë Berishës që erdhi në PD, për numrat që arritëm në në këto zgjedhje’, tha ai.
Urimi i Ambasadës së SHBA për zgjedhjet e 11 majit, për Koçin është njohje e zgjedhjeve të 11 majit.
‘Kjo është njohje e procesit urohet populli për zgjedhjet, nëse do të ishin të falsifikuara pse duhet që të bënin urim për një farsë dhe pastaj presin që të përfundojë procesi dhe pastaj do të urojnë edhe fituesin’, tha ai.
Por, për deputetin e PD Kreshnik Çollaku mazhoranca përsëriti 28 majin e 1996 në 11 maj. Ai tha se ka marr mesazhe nga emigrantë, ku në Boston janë paguar 500 dollarë për një votë për PS.
‘Mua më ka ardhur një mesazh nga një shqiptar emigrantë, me emër dhe me mbiemër, dhe më thotë kam identifikuar njerëz në Boston që kanë blerë një votë për PS, 500 dollarë. Këtu diçka ka ndodhur, ju e mbuloni, opozita s’duhet që të jetë në parlament nëse e konisderon farsë dhe vjedhje këto zgjedhje. Këtu ka ndodhur një situatë e rëndë me këto zgjedhje. Ju në këto zgjedhje keni bërë 28 majin e PD të vitit 1996 që mbushi kutitë e votimit plot me vota. Ky ka qenë manipulim zgjedhjesh i hapur, këta kanë marr një rezultat hiperbolik’, tha ai.
Mesazhin e SHBA, ai e sheh si një mesazh të ftohtë dhe paralajmërues. Ai tha se ky mesazh ka në thelb thirrjen për reflektim si për opozitën, ashtu edhe për qeverinë.
'Është mesazh i thatë që godet në ballë ose paralajmëron situata malore politike. Është një pranim i rezultatit, por SHBA po na thonë i zoti e nxjerr gomarin nga balta. PD dhe opozita nuk ishte në performacën më të mirë për të qenë alternativ për shtet. Por shenja më e ftohtë dhe me shqetësuese është karshi qeverisë. Është edhe mesazh që opozita duhet që të mbledh rripat që të bëhet alternativ, SHBA thotë bashkohuni bëni ca të doni dhe bëhuni alternativ. Duhet që të fillojë një proces i thellë reflektimi dhe reformimi’, tha ai.
Lini një Përgjigje