TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Qershor 2026, 19:00

Nuk pranoi komision hetimor për aferën “McGonigal”, Bardhi sulmon Kushtetuesen: Një po, një jo është politikë, jo drejtësi!

Shkruar nga Pamfleti
Nuk pranoi komision hetimor për aferën “McGonigal”, Bardhi
Gazment Bardhi,

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 11 majit 2025, por rrëzoi kërkesën për hetimin e çështjes “McGonigal”.

Bardhi e cilësoi vendimin si dëshmi të presionit politik mbi Gjykatën Kushtetuese, duke deklaruar se standardi i përdorur në dy rastet është kontradiktor.

“Një po, një jo, është politikë, jo drejtësi kushtetuese”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, rrëzimi i kërkesës për komision hetimor mbi aferën “McGonigal”, pavarësisht dokumentacionit që, sipas PD-së, mbështet hetimin, ngre dyshime serioze mbi pavarësinë e gjykatës.

Bardhi argumentoi se kërkesa ishte mbështetur në dokumente zyrtare të autoriteteve amerikane, arbitrazhit ndërkombëtar dhe institucioneve shqiptare, duke shtuar se vetëm një gjykatë nën presion politik mund të arrinte në përfundimin se mungonin indiciet për ngritjen e komisionit.

Ai vuri në dukje gjithashtu se vendimmarrja për çështjen u nda në raportin 4 me 4 mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, situatë që solli rrëzimin e kërkesës.

Reagimi i Bardhit:

1 po, 1 jo, është politikë, jo drejtësi kushtetuese!

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për pranimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, kurse rrëzimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për aferën korruptive McGonigal, është dëshmi flagrante e presionit politik ndaj kësaj Gjykate.

Se si mund të thuhet që kërkesës i mungonin indiciet për ta konsideruar çështje të veçantë, ndërkohë që ajo është e bazuar në 7 dokumente zyrtare të drejtësisë amerikane, arbitrazhit ndërkombëtar dhe drejtësisë shqiptare, vetëm një gjykatë nën presion politik mund ta thotë. Aq më tepër që kjo vendoset 4 me 4, dhe për këtë shkak rrëzohet pa vendim, njësoj si afera tjetër personale e Edi Ramës për çështjen “Becchetti”.

Por pavarësisht kësaj “e mirëkuptoj” Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e sotëm. Fundja, afera “McGonigal” është funerali politik i Edi Ramës dhe Gjykata jonë Kushtetuese kurrësesi nuk do mund të kishte guximin profesional për ta organizuar atë, njësoj si kolegët e tyre në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që prej 3.5 vitesh mbajnë në sirtar procedimin penal nr. 22, të vitit 2023.

gazment bardhi pd mcgonigal

Lini një Përgjigje