
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka folur në seancën parlamentare, sa i përket mandatit të Olta Xhaçkës. Ai i ka kërkuar Kryetares të Kuvendit, Lindita Nikolla, të ndërpresë seancën për t’i njohur ata me qëndrimin e PS lidhur me mandatin e Xhaçkës, duke theksuar se nuk duhet të fshihen më.
Bardhi gjithashtu i tha Nikollës se duhet të përmendnin edhe mocionin me debat lidhur me përfshirjen e vëllait të Ramës në dosjen Xibraka.
“Ne deputetët e opozitës nuk kemi akoma raportin e shumicës në Këshillin e Mandateve. Ne nuk dimë akoma qëndrimin tuaj për mandatin e Olta Xhaçkës. Ndërpriteni seancën dhe na njihni me qëndrimin tuaj. Nuk mund të fshiheni më. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet ta zbatojmë të gjithë.
Tek njoftimet duhet të përmendnit edhe mocionin me debat lidhur me përfshirjen e vëllait të kryeministrit me dosjen në Xibrakë. Kjo duhet të ishte përfshirë”, tha Bardhi.
Kuvendi do të dalë ditën e sotme me një vendim mbi çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, nëse do dërgohet apo jo për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Partia Socialiste ende nuk e ka bërë publik qëndrimin që do mbajë mbi mandatin e Xhaçkës, duke qenë se në Konferencën e Kryetarëve nuk u dol me një vendim. Nga ana tjetër, deri më tani në Kuvend është depozituar vetëm raporti i opozitës, përmes së cilit kërkohet që mandati i Xhaçkës të dërgohet në Kushtetuese për verifikim. PS deklaroi se do të përgatisë një raport deri të mërkurën, që pritet të prezantohet sot.
Lini një Përgjigje