
Deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili është larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i kaloi vulën Sali Berishës, tha se vendimi për tu larguar erdhi për koherencë qëndrimi.
Në një intervistë për emisionin “Open” në “News 24”, Alibeaj tha se pas vendimit të 11 qershorit, Partia Demokratike është në duart private të Sali Berishës. Ai shtoi se me Sali Berishën dhe berishizmin e ka ndarë marrëdhënia që ka mbajtur me drejtësinë dhe me partnerët e PD të Shqipërisë.
Deputeti e konsideroi si të padrejtë vendimin e Gjykatës së Apelit. Ai tha gjithashtu se berishizmi është ajo që drejton tashmë PD.
“U largova për koherencë qëndrimi, nuk bëra betejën duke vrapuar pas vulës apo siglës. Ndarjen me Sali Berishën e kam bërë 12 apo 13 vjet më parë. Në politikë duhet koherencë dhe cipë, dhe pas 11 qershorit, kur Apeli shpalli vendimin e formës së prerë, u mbyll përfundimisht kjo çështja e vulës apo logos. Unë kam mbajtur qëndrimet bazuar në disa vlera, s’kam qenë kurrë peng i idhujtarisë”, tha Alibeaj.
Lini një Përgjigje