
Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar një ditë pas protestës së opozitës në kryeqytet.
Në një deklaratë për mediat, teksa falënderoi qytetarët, lideri i PD tha se ata që dolën në shesh iu përgjigjën thirrjes për mosbindje civile.
Berisha u shpreh se nuk do të ketë paqe nëse në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Rama që të krijojë qeverinë teknike.
“Nuk duam fitore në tavolinë”, tha Sali Berisha, i cili paralajmëroi edhe forma të tjera të protestës, si ngujime apo greva.
Sipas tij, mosbindja civile do të shtrihet edhe në qytete të tjera si Shkodra, Durrësi etj teksa shtoi se PD ka 77 mënyra për mosbindje civile.
I pyetur nëse do ketë protesta para SPAK, Berisha sulmoi prokurorët e posaçëm, teksa i cilësoi si vegla të Ramës, por nuk konfirmoi nëse do ketë protesta para institucioneve të drejtësisë.
“Dua ta nis këtë fjalë, me një falënderim nga zemra për të gjithë ata qytetare dhe qytetarë guximtarë, që mbrëmë dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita. Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, zëri i njerëzve të heshtur, ishin ndërgjegjja e njeriut të civilizuar që kudo në botë ngrihet kundër padrejtësive, kundër tiranive.
Ata dje ngjanin me Feniksin, në fakt ishin udhëheqësit, ishin prijësi, zoti i kryeqytetit, por dhe i Shqipërisë.
Zoti i madh i bekoftë!
Një falenderim i veçantë për të gjithë ata djem dhe vajza, që mbrëmë iu përgjigjën vjedhjeve se shekullit të inceneratorëve, sterilizimeve, Dubai City-t, parajsës së Edi Ramës, amnistisë së mercenarëve të Skrapit ndaj këtyre krimeve të mëdha, me mosbindje civile.
Një falënderim i madh për gjithë ata burra dhe gra, që mbrëmë iu përgjigjën me mosbindje civile burgosjeve politike të opozitës, proceseve me dëshmitarë të rremë, si në kohërat më të zeza të diktaturës hoxhiste.
Një falënderim për të gjithë ata guximtare dhe guximtarë që mbrëmë iu përgjigjën me mosbindje civile shndërrimit nga Edi Rama të procesit zgjedhor në farsë elektorale, dhe që dje dhanë mesazhin e qartë, se pa zgjedhje të lirë, Shqipëria nuk ka dhe nuk do ketë paqe!
Një mirënjohje të pafundme për të gjithë ata qëndrestare dhe qendrestarë që iu përgjigjën mbrëmë me mosbindje civile zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin e padrinos, zëvendësimin e Kushtetutës së Republikës me Xhaçko-Kushtetutë dhe të parlamentit të vendit me parlamentin e Spirogjokës, zëvendësimin e qeverisë me narkoqeverinë e padrinos dhe të lubive të pangopura, tao-taove të drogës.
Javët që vijnë mosbindja do të çmontojë narkoshtetin tënd. Mbrëmë ishte aksioni i parë, kemi ngujimi, greva, përpara, bllokime rrugësh, kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërmoqin narkoshtetin e Ramës. Se mos mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe përfundoi vetëm aty, së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën, Durrësin, Kukësin, mbarë Shqipërinë.
Kur do ketë protesta para SPAK? Berisha: SKAP-i është organizatë kriminale shumë e rrezikshme për demokracinë në Shqipëri, shtetin ligjor, Kushtetutën, por mendoj se SPAK është një vegël e verbër në duart e kreut të krimit të organizuar, Edi Rama. Është një seksion i Partisë së Krimit, qëllimi ynë mbetet në këtë objektiva, ndonëse kemi bërë të qartë se çfarë përfaqëson Skrap-i i partisë”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Lini një Përgjigje