TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Prill 2024, 22:07

“Non grata” të freskëta dhe shkërmoqje të klasës politike, çfarë fshihet pas ligjit special që kaloi dje në komisionin e Senatit Amerikan?

Shkruar nga Pamfleti
“Non grata” të freskëta dhe shkërmoqje të
Meta-Berisha-Rama

Sinjalet janë se SHBA përmes këtij akti, do të sjellë një ndryshim të të gjithë kastës politike në Ballkan, përfshirë dhe vendin tonë...

Komisioni i Jashtëm në Senatin Amerikan, miratoi dje një ligj, i cili kaloi pa shumë bujë te ne. Teksa e gjithë vëmendja është përqendruar te marrëzitë e Ilir Metës, amerikanët kanë hedhur një tjetër hap të fuqishëm për të rritur ndikimin në Ballkan.

Komisioni miratoi Aktit mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i cili është një kambanë alarmi për të korruptuarit. Ligji kishte mbi një vit që flinte në sirtarët e Senatit amerikan, por duket se tani u hap rruga e miratimit dhe është i pari ligj special që ka në fokus Ballkanin.

Sipas projektligjit, që është iniciuar nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, dhe republikani Roger Wicker, synohet që shtetet e Ballkanit të mbështeten në aspektin ekonomik dhe në luftën kundër korrupsionit e aktiviteteve destabilizuese.

Ligji i ri pritet të sjellë valë “non gratash” të reja, ndërsa masat ndaj atyre që janë sanksionuar tashmë do të shtohen. Sipas propozimit, sanksionet do të koordinohen me Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian. Pra me pak fjalë, nëse një person sanksionohet nga SHBA, të njëjtën gjë do të bëjnë dhe vendet e BE apo e anasjellta. Sipas tyre, një masë e tillë është e nevojshme për të ndaluar çdo lloj skenari destabilizues.

Vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian duke mbështetur reformat përkatëse për të përmbushur standardet që kërkohen për anëtarësim; vazhdojmë të mbështesin Bosnjën dhe Hercegovinës duke inkurajuar avancimin kuptimplotë të axhendës së saj të reformave; duhet të koordinohemi ngushtë me Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar, aleatët e tjerë dhe vendet partnerë, për vendosjen e sanksioneve dhe të punojnë për të harmonizuar përpjekjet tona me qëllim që të tregojmë një angazhim kuptimplotë në ruajtjen e vlerave demokratike”, thuhet në draftin e siguruar nga “Pamfleti”.

Përmes projektligjit, senatorët amerikanë kërkojnë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe udhëheqësit e departamenteve për ekonominë dhe tregtinë që jo më vonë se 180 ditë pasi të hyjë fuqi projektligji apo Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, të paraqesin një strategji pesëvjeçare për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmëri demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Institucioneve amerikane u kërkohet që përmes kësaj strategjie të zhvillojë kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore në një sërë fushash, sikurse sektori i ekonomisë, ai i energjisë së pastër, agrikulturës, bizneseve, sigurisë kibernetike e shëndetësi.

Sekretari i Shtetit, nëpërmjet programeve aktuale dhe programeve të reja, do të zhvillojë një iniciativë që kërkon të zgjerojë asistencën teknike për zhvillimin e strategjive kombëtare kundër korrupsionit, për çdo vend të Ballkanit Perëndimor. Strategjitë e korrupsionit do të ndërtohen duke marrë parasysh kushtet lokale dhe në varësi të marrëveshjes me vendin pritës. Do të ofrohen praktikat më të mira dhe trajnime për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe institucionet gjyqësore, apo organe të tjera administrative në secilin shtet, për të përmirësuar efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e këtyre agjencive dhe institucioneve”, thuhet aty.

Fokusi i Aktit mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është te korrupsioni, por duket se qëllimi i vetëm nuk është ndëshkimi i atyre që kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve dhe fqinjëve tanë. Sinjalet janë se SHBA përmes këtij akti, do të sjellë një ndryshim të të gjithë kastës politike në Ballkan, përfshirë dhe vendin tonë.

Sekretari i Shtetit do të zhvillojë dhe zbatojë një program të njohur si ”Iniciativa e Lidershipit të Rinisë Ballkanike” (BOLD), që promovon arsimin, profesionalizmin dhe mbështetjen për profesionistët e rinj në Ballkanin Perëndimor, të cilët kanë demonstruar një pasion për të kontribuar në zhvillimin e vazhdueshëm të rajonit… Projekti synon: të mbështesë liderët e rinj ballkanikë duke ofruar zhvillim profesional, trajnim dhe mundësi rrjetëzimi, veçanërisht në fushat e lidershipit, inovacionit, angazhimit qytetar, zgjedhjeve, të drejtave të njeriut, sipërmarrjes, qeverisjes së mirë dhe administratës publike; të mbështesë liderët e rinj në politikë e Parlament mbi qeverisjen e mirë, mbrojtjen e mjedisit apo etikën e qeverisjes”, thekson drafti.

Më tej thuhet se pas hyrjes në fuqi të ligjit, do jepen bursa për shumë të rinj në Ballkan, të cilët do shkollohen dhe do trajnohen në SHBA, e më pas do kthen në vendet e tyre me ide e qëllime të qarta.

Pra duket se SHBA po fillon të krijojë një elitë të re politike, duke i dhënë fund kastës së korruptuar që na drejton prej 30 vitesh.

Në mënyrë të veçantë, Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor:

1. Krijon një iniciativë rajonale që nxit konkurrencën tregtare dhe ekonomike;

2. Krijon një nismë kundër korrupsionit që detyron Sekretarin e Shtetit të ofrojë asistencë teknike për çdo vend në Ballkanin Perëndimor, për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit.

3. Kodifikon dy urdhra ekzekutivë të SHBA-së për të vendosur sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe për ata janë të përfshirë në afera korruptive.

4. Nxit partneritetet universitare dhe iniciativat rinore, inkurajon angazhimin e Korpusit të Paqes në rajon;

5. Njeh rolin kryesor të sigurisë kibernetike në mbrojtjen e infrastrukturës kritike kundër aktiviteteve malinje nga kundërshtarët, përfshirë Rusinë dhe Iranin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje