Richard Grenell godet nga Beogradi: “Njohja e Kosovës? Qesharake! Ballkani ka nevojë për punë, jo për flamuj...
Deklarata e Richard Grenell, ish-emisar i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ka rënë si bombë në skenën diplomatike të rajonit. Nga Beogradi, ai i quajti “qesharake” përpjekjet për ta bërë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë prioritet politik, duke theksuar se qytetarët në të dy anët e kufirit kanë nevojë për vende pune dhe zhvillim ekonomik, jo për simbole të zbrazëta.
“Të rinjtë nuk hanë flamuj dhe certifikata diplomatike. Ata duan punë. Ideja për të folur tani për njohje është e humbur në realitetin e tyre,” u shpreh Grenell me gjuhën e tij të drejtpërdrejtë, që shpesh i ka vënë në siklet si Prishtinën, ashtu edhe Brukselin.
Ky nuk është një opinion i izoluar, por një pasqyrë e strategjisë së re amerikane në Ballkan, ku fjala “njohje” është zhvendosur në fund të rendit të ditës, ndërsa në krye është vendosur ekonomia.
Uashingtoni ka vendosur t’i lërë Bashkimit Europian labirintin politik të dialogut të Ohrit dhe të merret vetë me projekte konkrete: infrastrukturë, energji, tregti. Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020 nuk ishte rastësi: ajo vendosi heqjen e barrierave tregtare, ndërtimin e rrugëve dhe lidhjen energjetike mes vendeve, duke shmangur çdo term që lidhet me njohjen. SHBA e di se stabiliteti në Ballkan nuk arrihet me ceremoni, por me asfalt, energji dhe investime që mbajnë rininë në vend.
Ka edhe arsye më të thella. Beogradi është ende i lidhur ngushtë me Moskën dhe çdo presion amerikan për njohje të Kosovës do t’i jepte Kremlinit armën perfekte për të ndezur nacionalizmin serb. Në vend të kësaj, Uashingtoni po përdor “ekonominë si diplomaci”, duke neutralizuar fushatat ruse dhe duke e bërë Serbinë të varur nga projektet rajonale ku edhe Kosova është e përfshirë.
Pas luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, SHBA nuk ka luksin të shpenzojë vite në një proces politik të ngurtë; ajo kërkon fitore të shpejta dhe të prekshme.
Për Kosovën, kjo është një kambanë alarmi. Njohja e plotë nuk është më prioritet afatshkurtër për Uashingtonin. Fokusi real janë projektet që e lidhin Prishtinën me Tiranën, Shkupin dhe tregjet evropiane. Nëse udhëheqësit kosovarë nuk e lexojnë saktë këtë mesazh, rreziku është që vendi të mbetet i izoluar në lojën e flamujve, ndërsa të rinjtë vazhdojnë të largohen masivisht. Deklarata e Grenell është më shumë se një provokim: është një udhërrëfyes i ftohtë për realitetin e ri diplomatik në Ballkan, ku Amerika ka vendosur të flasë për kilometra rrugësh dhe megavat energjie, jo për nënshkrime të ceremonishme në letër./Pamfleti
Lini një Përgjigje