TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Mars 2025, 16:27

“Njerëzit e PD po më kërkojnë me ngulm”, ç'paralajmëron Dash Sula, pasi iku nga listat e Nisma ‘Shqipëria Bëhet’

Shkruar nga Pamfleti

“Njerëzit e PD po më kërkojnë me ngulm”,

Dashnor Sula duket se do të rikthehet në listat e hapura të Partisë Demokratike të Qarkut të Elbasanit si kandidat për zgjedhjet e 11 majit.

Pasi shprehu zemëratën se nuk u kandidua në listat e mbyllura, edhe pse u shpall si fitues i primareve për Qarkun e Elbasanit, Sula u shfaq në listat e koalicionit Nisma ‘Shqipëria Bëhet’ që drejtohet nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.

Por emri i Sulës, i 19-ti në listën e hapur të Elbasanit në këtë koalicion, qëndroi vetëm disa orë, pasi ai u çregjistrua si kandidat. Nuk dihet nëse ky vendim erdhi si pasojë e tërheqjes së deputetit demokrat, pasi nuk arriti një dakordësi për elementë teknikë, apo ai u kundërshtua nga eksponentë të ‘Nisma Thurje’.

Kjo lëvizje e Sulës ngriti dyshimet se ky i fundit mund të ketë një rikthim në listat e PD-së, sa kohë sipas ligjit, palët politike kanë afat deri në mesnatën e 15 marsit për të bërë rregullime te listat, për të hequr apo për të shtuar kandidatë.

Nga raportimet mësohet se negociatat mes PD dhe Sulës po zhvillohen nga disa deputetë, që duket se kanë marrë përsipër ‘detyrën’ për të përfshirë emrin e të ‘qejfmbeturit’ në listën e Elbasanit.

Vetë Sula la të kuptuar negociata të mundshme me PD për t’u rikthyer, dhe pa përmendur emra, për Report Tv tha se “është një moment që njerëzit e PD po e kërkojnë me ngulm”

Largimi i tij nga PD pas zhgënjimit me Sali Berishën u komentua gjatë, edhe nga vetë kryedemokrati, nga Elbasani në ditën e Verës tha se largimi i Sulës ishte shmangie e betejës së burrave.

Do të mbetet për t’u parë nëse Sula do të kthehet në PD, pas mesnatës së 15 marsit, kur koha e partive për të bërë rregullime në lista të përfundojë.

Rregullime në listat e kandidatëve, të dorëzuara më 12 mars, po bëjnë edhe një sërë partish të tjera, ndërsa këtë të shtunë, KQZ miratoi zyrtarisht listat e partisë së parë, Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorrit.

Lini një Përgjigje