Duket se gjithçka është gati në shesh për protestën e opozitës. Podiumi është ngritur, ndërkohë që po ashtu është instaluar edhe ndriçimi. Bien në sy edhe disa pankarta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, përreth godinës qeveritare janë vendosur kordonë metalikë. Gjithashtu, edhe hyrja e Kryeministrisë është blinduar, teksa janë hequr edhe zbukurimet festive nga frika se mund të dëmtohen.

Pas disa foltoreve të mbajtura të hënave, opozita vendosi të mbajë një protestë kombëtare kundër korrupsionit qeveritar. Data u vendos pas vendimit të SPAK për të kërkuar arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, por edhe daljes së detajeve nga dosja, në të cilën del edhe kryeministri Rama.

Po ashtu, më pas shpërtheu edhe skandali i AKSHI-t, ku edhe aty bëhet fjalë për shumë abuzime dhe opozita pretendon se dalin familjarë të kryeministrit. Për këtë arsye, të gjithë janë ftuar të dalin në shesh. Berisha, në konferencat për shtyp që ka mbajtur, nuk e ka mohuar se sot mund të ketë edhe tensione. Deri tani nuk ka detaje, por policia është përgatitur për dhunë. Flitet se mund të ketë flakadanë dhe hedhje gurësh ndaj Kryeministrisë, por do të duhet të presim edhe afro 1 orë.



Lini një Përgjigje