
Ai theksoi se për 6 muaj skuadra e re PS do të jetë gati.
Ka nisur Asambleja Kombëtare Partisë Socialiste e cila po mbahet në Durrës.
Kryeministri Edi Rama tha se brenda 6 muajsh do të zgjidhet skuadra që do të zbresë zyrtarisht në fushatë elektorale dhe sqaroi se cilët kandidatë do të jenë në listën e hapur dhe cilët në listën e mbyllur.
Rama ka paralajmëruar të gjithë deputetet që kanë më shumë se një mandat duke përfshirë edhe veten e tij, do të jenë në garë të hapur, ndërsa në listën e mbyllur do të jenë shumë pak prej tyre.
Ai tha se në listën e mbyllur mund të jenë Sekretari i Përgjithshëm, që ka një detyrë specifike, apo ai i Diasporës, si dhe pjesa dërrmuese do të jenë ata që do të kenë 1 mandat ose të rinj dhe të reja.
"Nisim përballjen për mandatin e 4 të PS-së në pranverën e ardhshme. Për 6 muaj duhet të jetë gati skuadra të zbresë zyrtarisht në fushë, skuadra jonë e re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2023. Këtë herë në bazë të ligjit të ri zgjedhor pjesëtarët e përfaqësueses sonë do të jenë 187. 140 në listën e votimit për garën e hapur në popull dhe 47 në listën e mbyllur të partisë.
Është e udhës të ndaj me ju që sot që deputetët me më shumë se 1 mandat pa përjashtuar drejtuesit politik të qarqeve dhe unë të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët.
Ndërsa në listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre që do kenë detyra specifike koordinuese si sekretari i përgjithshëm, apo drejtuesi i ri politik i diasporës. Pjesa kryesore e listës së mbyllur do jenë deputet me vetëm një mandat dhe të rinj e të reja", tha Rama.
Gjatë fjalës së tij hapëse, kryeministri u shpreh se tashmë PS është nisur drejt përballjes për mandatin e katërt qeverisës. Ai tha gjithashu se Partia Socialiste e 2023, do të jetë skuadra që do ta çojë Shqipërinë përpara.
“Konsiderojeni praninë tuaj një nder të madh dhe një borxh që duhet të ja ktheni të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe. E nderuara Asamble Kombëtare e PS, sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje. Do të përmbyllim proceset e brendshme zgjedhore dhe do të nisemi drejt përballjes për mandatin e 4 qeverisës”, tha Rama.
Lini një Përgjigje