TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Tetor 2024, 10:03

“Niko, mos bëj të fortin”/ Përplasje fizike mes deputetëve të PD dhe PS, opozita sherr para Kuvendit: Ministrat po i cakton mafia

Shkruar nga Pamfleti
“Niko, mos bëj të fortin”/ Përplasje fizike mes
Përplasje fizike mes deputetëve të PD dhe PS para Kuvendit, 3 shtator 2024

Deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë përjashtuar përkohësisht nga punimet për sjelljen e tyre gjatë të hënës, janë penguar sot nga Garda të hyjnë në Parlament.

Përplasjet u përshkallëzuan deri në konfrontime fizike mes deputetëve të të dy kampeve politike.

Fillimisht, ministri i Financave, Petrit Malaj, kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, dhe ministri Igli Hasani u penguan nga deputetët e PD, ç'ka solli ndërhyrjen e gardës.

Deputetët Gazmend Bardhi dhe Flamur Noka penguan ministrin të hynte në ambientet e parlamentit. Pas ndërhyrjes së gardës dhe largimit të ministrit Malaj, deputetët e PD u përplasën gjithashtu me kreun e grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, duke mos e lejuar të hynte në parlament.

Mos bëj të fortin, Niko Peleshi. Çfarë janë të gjitha ato forca që keni sjellë?” – dëgjohet t’i thotë deputeti Luan Baçi kryetarit të grupit të PS.

Deputetët e përjashtuar të PD, së bashku me kolegët e tjerë, u paraqitën në hyrje të parlamentit që në orën 09:00 dhe bllokuan të dy hyrjet e godinës.

Gjatë përplasjes, ata u konfliktuan edhe me punonjësit e gardës.

“Ju, punonjësit e gardës që vini si trima, mos prekni deputetët me dorë se jeni të filmuar dhe do të mbaheni mend të gjithë,” u dëgjua t’u thoshte Luan Baçi punonjësve të gardës.

Përplasje pati edhe pranë derës së Kuvendit midis deputetit të PD, Flamur Noka dhe deputetëve socialistë Frrok Gjini dhe Paulin Sterkaj.

Deputeti demokrat Flamur Noka ndërkohë ka vijuar akuzat ndaj qeverisë, këtë herë nga oborri i Kuvendit, pasi komisioni i etikës e përjashtoi një ditë më parë me 60 ditë nga punimet.

Noka u shpreh se këtë mazhorancë e ka kapur frika nga aksioni opozitar, teksa shtoi se kabineti qeveritar ka ministra të caktuar nga mafia.

“Në banjë do t’i mbyll populli këta. Bëjnë vendime për të vjedhur 51 miliardë euro në 11 vite. Ku kanë shkuar këto para. 51 miliardë janë vjedhur nga narkot dhe qajnë për karriget. Këta kanë hall se flakët e karrigeve do përpijnë Surrelin. Ky është një demonstrim se përse populli të hënën duhet të vërshojë në rrugë. Këta hynë si minj në kuvend nga dera e pasme pasi nuk përfaqësojnë popullin, Drejtorin e Policisë në këtë vend e caktojnë narkot. A ka vend ku ministrat caktohen nga mafia. Ministri i Mbrojtjes e ka lënë portin e Durrësit në dorën e mafias. Përse mbrohen me qindra gardistë. Iu ka hyrë frika në palcë. Ditën e hënë të gjithë në Tiranë”, tha mes të tjerash Noka. 

 

përplasje fizike mes deputetëve të pd dhe ps

Lini një Përgjigje