Të vetmit që munguan dje në pritjen e ambasadës me rastin e festës së pavarësisë ishin Rama dhe Berisha...
Ambasada e SHBA zhvilloi mbrëmë një pritje me rastin e 247-vjetorit të Pavarësisë së Amerikës. Në atë takim kanë qenë të pranishëm personalitete nga të gjitha fushat, duke përfshirë politikanë, gazetarë, artistë, biznesmenë, etj.
Po ashtu në fotot e shpërndara, bie në sy fakti se kanë marrë pjesë dhe disa anëtarë të “Foltores”, por mungonin dy persona: Edi Rama dhe Sali Berisha. Për këtë të fundit dihet arsyeja. Ai është damkosur nga amerikanët dhe çdo derë e ka të mbyllur, por mungesa e Ramës nuk dihet. Nuk pati asnjë njoftim që kryeministri të ishte jashtë, ndërkohë që ai sot në mëngjes doli në një konferencë shtypi, çka tregon se ishte këtu.

Prej disa kohësh ka zëra se raportet e Ramës me SHBA janë krisur. Që pasi plasi skandali “McGonigal”, ai nuk shihet me sy të mirë në Uashington. Po ashtu vizita përtej Atlantikut nuk ka pasur më. Pak muaj më parë, kur Gabriel Escobar erdhi në vendin tonë, në zyrën e Ramës shkoi vetëm 20 minuta. Po ashtu duhet theksuar se ka pasur dhe përplasje mes Ramës dhe Yuri Kim.
Nuk duhet harruar skandali kur ai dhe Olta Xhaçka dolën me vrap dhe thanë se ambasadores i mbaroi mandati dhe do largohet. Po ashtu në një aktivitet të Gjykatës Kushtetuese, Rama u largua nga aktiviteti sapo mori fjalën ambasadorja. Gjithashtu, përplasje mes tyre pati për kreun e ri të SPAK.
Por dje ambasadorja pati një mesazh për kritikët: “Kjo mund të jetë mundësia ime e fundit për të parë disa prej jush ballë për ballë, dhe unë do të doja të shfrytëzoj rastin për t’ju shprehur mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ju për atë çka keni bërë. Jam mirënjohëse të di se secili prej jush po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për vendin tuaj. Unë mendoj se me çdo person këtu kam pasur një mosmarrëveshje apo një tjetër, me disa prej jush më shumë se me të tjerë, por unë ende besoj – ashtu si siç besoja që në fillim. Ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Pra, faleminderit që jeni këtu sonte për të na u bashkuar në festë dhe ju falënderojmë për miqësinë dhe këshillat tuaja. Dhe do të shihemi në Uashington”, tha ajo.
Sa i takon pritjes, aty u panë Ilir Meta, Lulzim Basha, Bardhi, Alibeaj, Begaj, Tabaku, Salianji, Spiropali, Balla, Nikolla, etj. /Pamfleti











Lini një Përgjigje