TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Maj 2025, 18:04

Nga Marrëveshja e Detit te raportet me Athinën, Berisha flet për median greke: Më 11 Maj heqim qafe qeverinë

Shkruar nga Pamfleti

Nga Marrëveshja e Detit te raportet me Athinën, Berisha flet për

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për median greke “LiFO”, lidhur me situatën politike në Shqipëri dhe raportet dypalëshe me Greqinë.

Duke u ndalur te marrëveshja për Zonën Ekonomike Ekskluzive (EEZ) që u arrit gjatë periudhës së tij në pushtet, Berisha e cilësoi atë si “më të mirën e mundshme” për të dy vendet. Ai kritikoi ashpër kryeministrin Rama, për moszbatimin e saj, duke e akuzuar se pengoi procesin për arsye politike dhe ndikime të jashtme.

"Jam shumë i lumtur dhe shumë optimist që do të heqim qafe qeverinë e Edi Ramës, e cila nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë kriter, asnjë standard", tha Berisha për “LiFO”.

I pyetur nga gazetarët grekë lidhur me potencialin për përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, Berisha u shpreh me bindje të plotë se: “Mund të ishin më mirë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos jenë më mirë dhe jam thellësisht i bindur për këtë".

Ai risolli në vëmendje firmosjen e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit më 1996 me presidentin grek të asaj kohe, Costis Stefanopoulos, duke e cilësuar këtë dokument si një hap të rëndësishëm historik që ndihmoi në kapërcimin e shumë problemeve të trashëguara mes dy vendeve.

Sipas LiFO, marrëdhëniet mes qeverisë së Berishës dhe asaj të ish-kryeministrit grek Kostas Karamanlis ishin veçanërisht të afërta, gjë që u konkretizua me firmosjen e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare mes dy shteteve.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk u finalizua me ratifikim, pasi u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë nga opozita e drejtuar në atë kohë nga Edi Rama.

“Edi Rama ishte njeriu që, sipas bindjes sime të thellë, veproi kundër interesit kombëtar të Shqipërisë, duke bllokuar një marrëveshje që ishte më e mira që mund të kishim pasur. Ishte një marrëveshje fitimtare për të dyja palët", u shpreh Berisha.

Ai hodhi edhe një dyshim për motivet që qëndronin pas këtij vendimi, duke lënë të kuptohet se Rama mund të ketë vepruar nën ndikimin e aktorëve të jashtëm. "Edi Rama ndoshta, nga presioni i Rexhep Tajip Erdogan, e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese", përfundoi Berisha.

Berisha shprehu dhe një respekt të madh për ish-Kryepeshkopin të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

“Ai erdhi si grek i madh dhe iku edhe si një shqiptar i madh. Ringjalli Kishën me përkushtim, në mënyrë të jashtëzakonshme”, thotë Berisha, duke theksuar se respekti për të ishte i gjerë, përtej komunitetit ortodoks. 

Lini një Përgjigje