TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Maj 2025, 16:28

Plani i Friedrich Merz për të rikthyer Gjermaninë e lavdishme

Shkruar nga Katja Hoyer

 

Plani i Friedrich Merz për të rikthyer Gjermaninë e lavdishme
Friedrich Merz /

“Gjermania është rikthyer!”, tha Friedrich Merz, kancelar i ri i Gjermanisë.

Ajo që për disa tingëllon si premtim dhe për të tjerët si kërcënim, është sigurisht një shenjë se lidershipi i ri gjerman do të synojë të marrë një rol më të vendosur në politikën evropiane dhe botërore.

Që para se të merrte detyrën, Merz kishte paralajmëruar se do të tregojë një interes më të madh në politikën e jashtme se paraardhësi i tij. Ish-kancelari, Olaf Scholz, u bë i famshëm për ngurrimin e tij për të reaguar ndaj ngjarjeve ndërkombëtare, veçanërisht ndaj luftës në Ukrainë.

Menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në vitin 2022, ai mbajti një profil aq të ulët, sa që nisi të qarkullonte batuta “Ku është Olaf?”. Ajo që Scholz e quante “Besonnenheit” ose “maturi” u etiketua shpejt si “Scholzing” nga ukrainasit, e përcaktuar si një premtim mbështetjeje i vonuar në maksimum.

Marrëdhënia e tij me disa udhëheqës të huaj, sidomos me presidentin francez Emmanuel Macron, ishte aq e tensionuar saqë i përkeqësoi në vend se t’i lehtësonte tensionet. Merz ka siguruar se politika e jashtme do të kontrollohet drejtpërdrejt nga kancelaria. Ai dëshiron që t’i bëjë gjërat ndryshe.

Tre ditë pasi partia e tij fitoi zgjedhjet në shkurt, shkoi në Paris për të takuar Macron, dhe të dy u zotuan të fillonin një “kapitull të ri” në marrëdhëniet franko-gjermane. Edhe vizita e tij e parë si kancelar jashtë shtetit do të kryhet të mërkurën në Francë.

Merz e ka kritikuar ashpër sjelljen e Scholz me pjesën tjetër të Evropës. Madje në një debat parlamentar tha se ndihej “i turpëruar” nga ajo qasje. Tani ai ka mundësinë të provojë se mund të qeverisë më mirë. S’ka dyshim se Merz ka ambicie më të mëdha për Evropën dhe rolin e Gjermanisë në të, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikën ekonomike.

Në qendër të kësaj është mbështetja e tij për një marrëveshje të re tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. “Më e mira do të ishte që të gjithë të biem dakord për zero tarifa në tregtinë transatlantike. Atëherë do të zgjidhet problemi”- deklaroi ai së fundmi për mediat gjermane.

“Unë nuk dua një luftë të hapur tregtare me SHBA-në dhe Kinën” - u shpreh Merz javën e kaluar në një konferencë të partisë së tij konservatore CDU. Përveç heqjes së të gjitha tarifave, ai synon një harmonizim të standardeve, në mënyrë që “kontrollet teknike gjithëpërfshirëse” të bëhen të tepërta dhe që të hiqen barrierat e mëtejshme ndaj tregtisë.

Kjo është një kërkesë ambicioze, por Merz mund të gjejë një aleate të fuqishme tek Ursula von der Leyen. Pavarësisht se është më kritike ndaj Trump se sa Merz, presidentja e Komisionit Evropian, i ka ofruar Shteteve të Bashkuara një marrëveshje për të hequr tarifat për të gjitha mallrat industriale.

Edhe pse një aleate e ngushtë e rivales së Merz dhe ish-kancelares Angela Merkel, nuk duhet nënvlerësuar fakti që Von der Leyen është gjithashtu një gjermane dhe një politikane e CDU-së. Ndaj do të jetë më e vetëdijshme sesa politikanët e tjerë evropianë, për nevojën specifike që ka Gjermania për të shmangur një luftë tregtare me Amerikën.

Prandaj Merz mund të jetë në gjendje ta rrisë ndikimin e Gjermanisë në Bruksel, aty ku Scholz zgjodhi të mos e bënte. Shumë më tepër se sa Scholz, Merz bën një lidhje midis projekteve të tij të brendshme dhe kushteve gjeopolitike për to. Shihni politikën energjitike. Ai dëshiron në thelb të ruajë të njëjtin plan energjetik, që Gjermania ka ndjekur për vite me radhë: burime të rinovueshme vendase, të mbështetura nga gazi i importuar. Ky i fundit ka shkaktuar probleme të mëdha për Gjermaninë, që kur sanksionet kundër Rusisë krijuan një boshllëk të madh në furnizim.

Më shumë gaz është importuar nga SHBA në formën e gazit të lëngshëm natyror, LNG, dhe kjo mund të zgjerohet më tej. Pra, nëse Trump dëshiron që deficiti tregtar midis Evropës dhe Amerikës të adresohet si pjesë e një marrëveshjeje tregtare, Merz s’ka gjasa të ketë problem me energjinë si pjesë të përgjigjes.

Trump ka deklaruar se një marrëveshje në këto linja mund të jetë e mundur. SHBA-ja është partnerja më e rëndësishme tregtare e Gjermanisë. Modeli ekonomik gjerman mbështetet shumë tek eksportet, ndaj fati i saj është i lidhur me rrjedhën e mallrave dhe shërbimeve përtej Atlantikut.

Nëse Merz dëshiron të ketë një shans për ta nxjerrë Gjermaninë nga gjendja e saj e keqe në një periudhë afatshkurtër, ai duhet ta kapërcejë disi konfliktin me Uashingtonin. Pra, ai do ta bëjë këtë një përparësi për veten e tij, në vend se të mbështetet në iniciativën e ministrit të tij të jashtëm.

Nën kohën e Scholz, Ministria e Jashtme dhe kancelaria drejtoheshin nga parti të ndryshme, interesat e të cilave nuk ishin të përafërta. Scholz është një socialdemokrat i qendrës së majtë. Ministrja e tij e jashtme, Annalena Baerbock, vinte nga Partia e Gjelbër.

Dhe ajo ndoqi axhendën e saj të deklaruar të një “politike të jashtme feministë”, e cila edhe pse nuk është përcaktuar kurrë qartë, përmblidhet në një qasje të orientuar drejt vlerave dhe jo tek realpolitika. Madje ajo hoqi emrin dhe portretin e Otto Von Bismarck nga Ministria e Jashtme.

Kancelari i parë gjerman, nuk ishte vetëm një diplomat jashtëzakonisht i aftë, por edhe një nga mbështetësit më të shquar të konceptit të realpolitikës. Ngurrimi i Scholz në politikën e jashtme i dha Baerbock shumë hapësirë. Për pasojë, Gjermania fliste shpesh me dy zëra ose asnjë.

Kabineti i ri do të ndërtohet ndryshe. Merz ka emëruar si Ministër të Jashtëm Johannes Wadephul, një deputet të vjetër shumë të sjellshëm, një veti që cilësohet një karakteristikë tipike e gjermanëve të veriut. Merz është ende një lojtar politik kryesisht i paprovuar, në kuptimin që s’ka mbajtur më parë një rol qeveritar, dhe e mori postin më të lartë në kohë krize.

Mbetet të shihet nëse kancelari i ri, do ketë guximin për të identifikuar dhe ndjekur interesat gjermane me më shumë synim sesa i mëparshmi. Por është e qartë ambicia e tij për të pasur një rol kyç në skenën botërore./Përgatiti: Pamfleti

Shënim: Katja Hoyer, historiane anglo-gjermane.

friedrich merz

Lini një Përgjigje