
Mësohet zyrtarisht se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 të Kodit Penal. Po ashtu ai akuzohet për pastrim parash...
Zbardhen detajet e operacionit të SPAK në familjen Berisha. Sot u vu në pranga Jamarbër Malltezi i akuzuar për afera me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërkohë që masë sigurie është dhënë edhe për Sali Berishën.
Hetimet për këtë dosje i ka zhvilluar prokurorja Enkeleda Millonai. Mësohet se ajo prej disa ditësh kishte prerë urdhër-arrestet dhe kishte kërkuar aprovim nga gjykata. Vetëm ditën e djeshme gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar që të aprovojë arrestimin e Malltezit, ndërsa për Berishën u dha “detyrim paraqitje” për shkak të moshës së thyer. Ndërkohë atij i është bllokuar pasaporta për të mos lejuar largimin jashtë vendit. Malltezi është arrestuar në Rinas, teksa ishte duke pritur bashkëshorten. Ai është ndaluar nga 3 anëtarë të Forcave Operacionale.
Po ashtu gjyqtarja vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për ndërtuesin Fatmir Bektashi, i cili ngriti kullat te pronat ku ishte kompleksi “Partizani”.
Ndërkohë mësohet zyrtarisht se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 të Kodit Penal. Po ashtu ai akuzohet për pastrim parash. Pak më parë dy efeketivë të policisë kanë shkuar në selinë e PD për t'i komunikuar akuzat dhe informuar mbi vendimin e gjykatës.
Nga ana tjetër Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin.
Ndërkohë mësohet se agjentët e BKH kanë kryer kontrolle në banesën e Jamarbër Malltezit dhe të Fatmir Bektashit, por operacioni u mbajt sekret. Ndërsa sot pasdite efketivë policie u panë te banesa e Berishës, por jo për kontrolle, pasi ai ka imunitet deputeti.
Sa i takon dosjes së SPAK, dyshohet se Berisha, kryeministër në atë kohë ka nxjerrë një sërë aktesh ligjore e nënligjore në funksion të kthimit të pronave dhe privatizimit të klubit Partizani dhe kompleksit shumë sportesh në favor të 5 familjeve e pronarëve ku përfitues i drejtpërdrejtë ishte dhëndri i tij.
Ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet se ka përfituar 3-5% të pasurisë se paluajtshme të 5 familjeve që ai ka përfaqësuar me prokurë dhe vetë ishte përfaqësues në këmbim të privatizimit, ku ka ndërtuar 19 kulla.
Ndërkohë klubi “Partizani” ka qenë në planin e përhapjes së Forcave të Armatosura dhe nuk lejohej të privatizohej. GJKKO ka vendosur masën “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin dhe bashkëpronarin e kullave dhe “detyrim paraqitje” për Berishën si dhe i ndalohet dalja nga Shqipëria. /Pamfleti
Lini një Përgjigje