Gjykata Kushtetuese është mbledhur për të vendosur mbi kërkesën e Ilir Metës për masën e arrestit me burg.Ai pretendon se vendimet e të tre shkallëve të gjykatës janë në shkelje të disa neneve të Kushtetutës.
Trupa e Gjykatës Kushtetuese vendosi të kalojë në seancë plenare pra me shqyrtim dokumentar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në burg prej rreth një 1 viti ka depozituar kërkesë për shpalljen si jo kushtetues.
Seanca plenare që do të mbahet në vazhdim do të jetë me dyer të mbyllura dhe jo e hapur si në rastin Veliaj dhe shqyrtimi do të jetë me bazë dokumentare.
Kërkesa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga pala mbrojtëse, pretendohet se vendimet të të tre gjykatave, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës Parë, janë antikushtetuese dhe kanë cënuar rëndë liritë, Kushtetutën, ligjin procedural penal, si dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me heqjen e lirisë. Ilir Meta, ish-President i Republikës, ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar i Kuvendit, është vendosur në masën e arrestit në burg, pa akuzë konkrete, por vetëm me dyshime si person nën hetim.
Shkeljet konkrete të Kushtetutës sipas palës mbrojtëse
“Kërkesa mbështetet në faktin se Gjykata ka lënë në fuqi një masë arresti të bazuar vetëm në dyshime, pa një akuzë të komunikueshme ndaj të pandehurit, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila përcakton se “çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit”. Për më tepër, masa e arrestit me burg e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizat përbën një shkelje të parimeve themelore të Kushtetutës dhe është e papërshtatshme për të siguruar një proces të drejtë.
Vendimet e gjykatave janë të paqartë dhe të paarsyeshme në lidhje me rrezikshmërinë individuale të të pandehurit. Arsyetimi i Gjykatës së Lartë ka shkuar përtej kompetencave të saj, duke e paragjykuar ish-Presidentin Ilir Meta si recidivist për të njëjtat vepra penale, një fakt që është i pasaktë pasi Meta nuk ka pasur ndonjë dënim të mëparshëm për ndonjë vepër penale” thuhet në kërkesë.
Shkelja e Kushtetutës dhe ligjeve të tjera
Avokatët e Metës thonë se masa e arrestit me burg, për një person publik si ish-Presidenti dhe lider i një partie opozitare, është konsideruar jo proporcionale dhe e pajustifikuar, duke cenuar liritë themelore të njeriut.
“Ky proces ka shkelur disa nene të Kushtetutës, si:
Neni 17 i Kushtetutës: Kufizimi i të drejtave dhe lirive.
Neni 27 i Kushtetutës: E drejta për liri dhe siguri personale.
Neni 28 i Kushtetutës: Prezumimi i pafajësisë.
Neni 48 i Kushtetutës: Barazia para ligjit dhe ndalimi i diskriminimit politik.
Neni 5 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: Ndalimi i ndalimit arbitrar.
Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut: E drejta për një proces të drejtë.
Nëse personi nuk ushtron funksion publik, nuk ka mundësi të ndikojë mbi prova ose dëshmitarë, dhe nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, masa e sigurisë me burg mund të konsiderohet e papërshtatshme dhe e pamotivuar”, thonë avokatët.
Kërkesa për shfuqizim të vendimeve të gjykatave
“Për të gjitha arsyet e mësipërme, kërkohet nga Gjykata Kushtetuese pranimi i kërkesës dhe shfuqizimi si antikushtetues i vendimeve të mëposhtme:
Vendimi nr. 57, datë 27.02.2025, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Vendimi nr. 59 (97-2024-333), datë 19.11.2024, i Gjykatës Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi nr. 125, datë 20.10.2024, i Gjykatës Shkallës Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vendimi nr. 130, datë 23.10.2024, i Gjykatës Shkallës Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në kërkesën e avokatëve të Metës.
Lini një Përgjigje