Nëse Rama vërtet trumbeton për drejtësi, tani është koha ta tregojë se e mbështet drejtësinë e re, duke pranuar propozimet e Dumanit...
Reforma në drejtësi dhe arrestimet e SPAK, pritet të jenë karta kryesore e Ramës në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit.
Pas 3 mandatesh në pushtet nuk ke më se çfarë premton dhe Rama po i jep sinjalet se tani do të dalë tu thotë shqiptarëve se ai e solli drejtësinë e re dhe se amerikanët sollën “Ndoc Rrokun”.
Por viti 2025 do të jetë një test për Edi Ramën, sa i takon drejtësisë së re. Kryeministri mburret se e ka sjellë ai, mirëpo deri më sot nuk ka thënë asnjë gjë mbi kërkesat që i janë drejtuar Parlamentit nga SPAK.
Altin Dumani, qoftë në mënyrë gojore ashtu dhe shkresore ka kërkuar 2 gjëra kryesore nga Komisioni “Xhafaj”: Tu jepet e drejta prokurorëve të garojnë për një tjetër mandat 9-vjeçar dhe të rritet fasha e vlerës së korrupsionit, në mënyrë që SPAK të merret vetëm me zyrtarët e niveleve më të larta.
Ndërkohë nga ndërkombëtarët ka ardhur dhe një propozim tjetër. Mësohet se ata kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në ligj, duke hequr pjesën që kreu i SPAK nuk ka të drejtë kandidimi. Pra me pak fjalë, ata kërkojnë që Altin Dumani të ketë dhe një tjetër mandat si drejtues, duke qenë se këtë vit i mbaron afati.
Rama ka hedhur në sulm Fatmir Xhafajn, duke i dhënë flamurin e antikorrupsionit. Vetë ai që cilësohet si “arkitekti i reformës në drejtësi” po punon në prapaskenë, mirëpo asnjëherë nuk i ka përmendur kërkesat e SPAK.
Nëse Rama vërtet trumbeton për drejtësi, tani është koha ta tregojë se e mbështet drejtësinë e re, duke pranuar këto propozime. Megjithatë me shumë gjasë kjo çështje do të shtyhet pas zgjedhjeve dhe në varësi të rezultatit do varet dhe fati i propozimeve të Dumanit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje