I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Tiranë, Martin McDowell i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Taulant Balla të zbardhet skandali me sistemin TIMS në Policinë e Shtetit.
McDowell shprehu shqetësimin e SHBA lidhur me ndërhyrjet në sistemin TIMS, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe të plotë. McDowell i shprehu gjithashtu ministrit se SHBA është e gatshme të mbështesë Ministrinë dhe Policinë e Shtetit Shqiptar në hetimin e tyre.
Lajmi është njoftuar nga ambasada nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ndërsa ka zbardhur edhe diskutimet që kanë pasur me njëri-tjetrin.
"I Ngarkuari me Punë të Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin me SHBA dhe mbështetjen e zbatimit të ligjit për një sërë çështjesh të sigurisë. CDA McDowell vuri në dukje shqetësime në lidhje me shkeljen e raportuar të sistemeve TIMS në Policinë e Shtetit Shqiptar. Ai kërkoi një hetim të shpejtë, të plotë dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave private/sensitive, duke përfshirë atë të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu ministrit Balla se SHBA ishte gati të mbështeste Ministrinë dhe Policinë e Shtetit Shqiptar në hetimin e tyre."-thuhet në njoftimin e ambasadës.
Lini një Përgjigje