TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Qershor 2026, 12:30

“Mund të shkohet drejt përplasjes civile”, Berisha: Protestat qytetarë më të mëdha se ato të PD

Shkruar nga Pamfleti
“Mund të shkohet drejt përplasjes civile”, Berisha:
Samiti i EPP

Kreu demokrat Sali Berisha ka folur me nota dramatike rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri, teksa për herë të parë ka pranuar se protestat qytetare kundër Kryeministrit Edi Rama janë më të mëdhatë që janë organizuar në Shqipëri. Madje Berisha i cilësoi ato si të “papara”, por paralajmëroi se mund të shkohet drejt përplasjes civile.

Deklaratat e kreut demokrat u bënë gjatë një samiti të PPE-së, ku ai akuzoi Edi Ramën për lidhjet me krimin dhe organizimin e farsave zgjedhore, ndërsa kërkoi një qeveri kujdestare. Berisha tha se vendi ka nevojë për zgjidhje politike, për të shmangur përplasjet civile.

“Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës. Është në një dhomë urgjence. Po përballet me protesta që nuk janë parë më pare. Situata mund të degradojë në përplasje serioze nëse nuk gjendet një zgjidhje paqësore. Kemi një ‘lëvizje të pandalshme’ dhe se ajo nuk përfaqëson vetëm një forcë politike, por një reagim më të gjerë qytetar.

Vendi im ka nevojë për një zgjidhje paqësore dhe civile, duke shmangur një përplasje të mundshme që mund ta kthejë vendin shumë vite pas ose në një regres të rëndë. Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme.

Është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto janë edhe kërkesat kryesore të tyre, përfshirë edhe dorëheqjen e kryeministrit.

Por më e rëndësishmja është zgjidhja e kësaj krize në mënyrë të qytetëruar dhe paqësore, duke shmangur çdo përplasje që mund të ndodhë nëse qeveria vazhdon të sillet në këtë mënyrë, duke i injoruar apo duke i trajtuar si të pavlefshëm, etj”, tha Berisha.

Deklaratat e kreut demokrat lidhur me protestat që kanë hyrë në ditën e 10-të pasojnë ato të Kryeministrit Edi Rama, i cili pavarësisht se ka humbur qetësinë, po mundohet të bëjë humor me situate ta caktuara, ndërsa shfaqet i pashqetësuar nga protestuesit. Madje Rama ka minimizuar edhe numrin e atyre që protestojnë dhe kërkojnë dorëheqje të parevokueshme të tij, duke e përkufizuar atë nga 2 mijë në 8 mijë persona.

Protestat kanë gjetur jehonë në mediat ndërkombëtare, të cilat raportojnë për mijëra protestues në rrugët e Tiranës, por jo vetëm. Protestat nisën në Tiranë në ditën e fundit të majit, për tu shtrirë më pas në qytetet kryesore të vendit, por edhe në kryeqendrat europiane. Rama në anën tjetër ka nisur takime me socialistët duke shfrytëzuar 35-vjetorin e themelimit të PS-së, teksa ato ngjajnë me anti-mitingjet në sa herë ka tensione, organizohen nga ata që ndodhen nën presion, për të treguar forcën. Rama është munduar ti kanalizojë protestat jo si një pakënaqësi kundër tij, por si një reagim kundër Presidentit Donald Trump dhe familjes së tij, duke qenë se dhëndri i Trump, Jared Kushner është i përfshirë në projektin e Zvërnecit dhe Sazanit. Në anën tjetër, Rama ka hedhur dyshime se pas protestave qëndrojnë qarqe anti-shqiptare, madje ka hedhur dyshime se mund të jenë organizuar nga Greqia, Serbia, madje edhe nga Irani.

berisha epp protesta

1 Komente

  1. r
    rq

    ty fismidhje aty te rri mendja te perplasja civile, si ne 97, ndoshta perfiton.

    Lini një Përgjigje