
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar lidhur me protestën e Partisë Demokratike dhe skenarët e përsëritur të përfshirjes së protestuesve në akte dhune, si hedhja e molotovëve dhe fishekzjarreve.
Në një deklaratë publike, Koçiu dënoi çdo inkurajim të akteve të dhunës nga drejtues të opozitës dhe u bëri thirrje organizatorëve të marrin përgjegjësi për mbarëvajtjen e tubimit.
“Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve”, u shpreh ministrja.
Koçiu theksoi se dhuna nuk mund të jetë alternativë politike, teksa shton se veprimet e dhunshme rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve.
“Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve”, deklaroi ajo.
Në reagimin e saj, ministrja u ndal edhe te përfshirja e të rinjve dhe të miturve në incidente të dhunshme gjatë protestave.
“Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”, theksoi Koçiu në postimin e saj në "Facebook".
Lini një Përgjigje