Sot do të mbahet seanca për protestuesit në demonstratën e opozitës që u mbajt të hënë para Kryeministrisë, Tiranë.
Jashtë gjykatës janë edhe deputetët e PD-së, si Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bledjon Nallbati, duke shprehur kështu mbështetjen ndaj protestuesve.
Dje u arrestuan 4 demonstrues, ndërsa u proceduan penalisht 7 të tjerë.
Katër të arrestuarit janë kapur në flagrancë teksa gjatë tubimit janë hedhur në drejtim të kryeministrisë shishe molotov ku 3 punonjës të policisë u lënduan si dhe një simpatizant u përfshi nga flakët.
Policia njoftoi se si pasojë e hedhjes së molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga ana e protestuesve, janë dëmtuar tre efektivë. Pas shoqërimeve në komisariat, shkuan dhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike, që kërkuan të sqarojnë mbi rrethanet se përse u shoqëruan protestuesit.
Disa qindra qytetarë iu përgjigjën për rreth dy orë thirrjes së kryedemokratit Sali Berisha për të marrë pjesë në protestën kombëtare para Kryeministrisë. Kryetari i opozitës ka denoncuar vjedhjen e parave publike nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, si dhe goditjen që po i bën Edi Rama, sipas tij, organeve të drejtësisë.
Berisha u bëri thirrje mbarë qytetarëve, intelektualëve në mënyrë të veçantë, të zhvishen nga konformizmi për të ardhmen e familjeve dhe shoqërisë shqiptare. Berisha i cilësoi Ramën dhe Rilindjen kufoma politike, ndërkohë që edhe pse u paralajmëruar një përshkallëzim i protestës deri në grevë urie, një gjë e tillë nuk ndodhi mbrëmjen e djeshme.
Lini një Përgjigje