
Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që koha e debatit në seancën e sotme plenare ku do të diskutohet për shkarkimin e Niko Peleshit si Kryeparlamentar do të jetë 90 minuta.
Kërkesa për shkarkimin e Peleshit është paraqitur nga Partia Demokratike, ndërsa kjo do të jetë edhe pika e parë në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit.
Gjatë debatit priten përplasje të forta mes palëve, kjo për faktin se qëndrimet e tyre janë diametralisht të kundërta. Kjo nuk është hera e parë që opozitat në Kuvendin e Shqipërisë kërkojnë shkarkimin e Kryetarëve të Kuvendit, por ndodh për herë të parë që të kërkohet shkarkimi në më pak se dy muaj nga momenti kur Kryeparlamentari merr detyrën.
Kërkesa mban firmën e 36 deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në relacionin e dorëzuar më 19 shtator 2025 në Këshillin e Legjislacionit, demokratët argumentojnë se Peleshi ka kryer “shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit” gjatë seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtator, duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke penguar debatin parlamentar.
Në dokumentin zyrtar thuhet se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim me nenin 75 të Kushtetutës dhe nenin 114 të Rregullores së Kuvendit, duke mos respektuar procedurat ligjore gjatë thirrjes dhe zhvillimit të seancave parlamentare.
Në mbledhjet e zhvilluara më 6, 14 dhe 28 tetor, relatorët Ivi Kaso (PD) dhe Damian Gjiknuri (PS) paraqitën raportet përkatëse. Ndërsa Kaso kërkoi nisjen e procedurës së shkarkimit, duke e konsideruar kërkesën të bazuar në shkelje substanciale, Gjiknuri e kundërshtoi këtë pretendim. Për shkak të ndarjes së barabartë mes shumicës dhe pakicës, në seancë plenare do të paraqiten dy raporte të ndara.
Sipas relacionit të PD-së, seanca e 16 shtatorit u thirr në kundërshtim me afatet kushtetuese dhe rregullore, pasi u njoftua më pak se 24 orë më parë. Opozita pretendon se Peleshi ka lejuar shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit pa respektuar afatin minimal njëjavor nga depozitimi i kërkesës, siç përcaktohet nga neni 83 i Kushtetutës. Gjithashtu, demokratët e akuzojnë për mohimin e të drejtës së diskutimit të deputetëve, duke shkelur nenin 75 të Kushtetutës dhe nenin 117 të Rregullores.
Në seancën e 18 shtatorit, ku u prezantua programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave, PD akuzon Peleshin për “cenim të rëndë të rendit kushtetues parlamentar”. Sipas relacionit, gjatë seancës Kryeministri Edi Rama ndërpreu fjalën për t’ia kaluar “një ministre virtuale”, gjë që opozita e cilëson si “akt karagjoz” dhe fyes për institucionin e Kuvendit. Demokratët theksojnë se kërkesat e tyre për fjalën në procedurë u mohuan në mënyrë të njëanshme, duke u hequr të drejtën për debat mbi programin e qeverisë, në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenin 110 të Rregullores.
Në përmbyllje të relacionit, Partia Demokratike deklaron se veprimet e Kryetarit të Kuvendit kanë minuar parimet e ndarjes së pushteteve dhe kanë transformuar institucionin më të lartë të përfaqësimit në “instrument të mazhorancës qeverisëse”. Kërkesa e PD-së pritet të shqyrtohet në seancë plenare, ku do të paraqiten dy raportet e Këshillit për Legjislacionin – një pro dhe një kundër shkarkimit të Niko Peleshit.
Lini një Përgjigje